Kërcënimi i gjykatës kryen punë, Gazmend Muhaxheri shkon në gjykatë

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzën e moszbatimit të vendimit gjyqësor për kthimin e ish drejtorit të Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanajt, në vendin e punës.

Edhe pse ishte shqyrtim fillestar, Gjykata nuk e lejoi leximin e aktakuzës me pëlqimin e kryetarit Muhaxheri, praktikë jo e zakonshme në sistemin gjyqësor në Kosovë.

Sikurse në rastin e të parit të Pejës, aktakuza nuk ishte lejuar të lexohej as në gjykimin e aferës “Pronto”, edhe përkundër insistimit të prokurores që ajo të lexohej.

Prokuroria Themelore në Pejë, në maj të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj të parit të Pejës, pasi i njëjti ka refuzuar që ta zbatojë vendimin e plotfuqishëm të gjykatës së Apelit për ta kthyer në vendin e punës ish drejtorin e Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanajn.

KALLXO.com kishte raportuar kur Hysni Selmanaj ishte suspenduar nga puna si Drejtor i Auditorit të Brendshëm nga udhëheqësit e Komunës së Pejës me arsyetimin për performancë të dobët në punë.

Selmanaj atëherë kishte thënë se kjo ishte hakmarrje për shkak të shumë keqpërdorimeve që i kishte raportuar tek organet e drejtësisë.

Refuzimi për ta kthyer në vendin e punës ish drejtorin e Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanaj, i ka kushtuar të parit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, me aktakuzë.

Që nga maji i vitit 2017 kur është ngritur aktakuza, Gjykata nuk ka arritur ta mbajë akoma shqyrtimin fillestar për shkak të mos paraqitjes së Muhaxherit në gjykatë.

Aktakuzë Kundër Kryetarit të Komunës së Pejës

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Urdhërohet ‘arrestimi’ i Gazmend Muhaxherit