Foto: Facebook/Ramush Haradinaj

Kërcënimet e SBAShK-ut për Ligjin e Pagave, Haradinaj u premton se do merren parasysh kërkesat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, pasi kjo e fundit nuk ishte pajtuar me trajtimin e mësimdhënësve në Ligin për Paga.

Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se Qeveria do të angazohet që para votimit në Kuvend të merren parasysh kërkesat e SBAShK-ut.

“Rritja e buxhetit në arsim është një nga hapat e shumtë që kemi ndërmarrë si Qeveri për ta përmirësuar gjendjen në këtë sektor. Krahas kësaj është bërë edhe punë e madhe me Ligjin e Pagave, duke i zyrtarizuar pagat e mësimdhënësve që deri tani, bazoheshin në vendime dhe në shtesa të rrezikshmërisë. Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit i njoftova për nevojën që ky ligj të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj të hapet rrugë për të bërë përmirësimet e nevojshme në të ardhmen. Po sot, u zotuam se do të angazhohemi bashkërisht që përpara votimit në Kuvend, të merren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës dhe mësimdhënësve”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe gjatë vitit që e lamë pas SBAShK-u kishte mbajtur disa greva duke shprehur pakënaqësinë për trajtimin e tyre në Ligjin për Paga që pritet të votohet në Kuvend.