Dragan Bursaq, gazetar boshnjak. Foto kortezi e N1.

Kërcënimet detyrojnë gazetarin boshnjak të pranojë mbrojtjen e policisë

Gazetari boshnjak Dragan Bursaq tregon për vështirësitë e punës nën mbrojtjen policisë, gjë që ai e ka kërkuar pas marrjes së kërcënimeve të shumta me vdekje.

Një gazetar boshnjak i njohur për shkrimet e tij kritike rreth nacionalizmit është vënë nën mbrojtjen e policisë pasi ka marrë kërcënime të shumta me vdekje.

Ndërsa Bosnja renditet e 62-ta në botë nga 180 vende në aspektin e lirisë së shtypit në Indeksin e Lirisë Botërore të Shtypit, që është më lart sesa rezultati i vitit 2017, kur ajo u rendit e 65-ta, Dragan Bursaq nuk ka përfituar nga ky progres.

“Deri më tani, vetëm një person nga shtatë të tillë mbetet ende i panjohur, ose të paktën nuk më është thënë nëse ai është identifikuar apo jo, ndërsa rastet e tjera tashmë janë në prokurori,” tha Bursaq për BIRN, duke iu referuar atyre që e kanë kërcënuar.

Vendndodhja e tij tani është sekret përveç masave të tjera që policia në Republikën Srpska po ndërmerr për ta siguruar atë dhe familjen e tij, shpjegoi Bursaq.

Problemet e tij të fundit filluan në korrikun e kaluar, kur botoi një shkrim të titulluar “A e feston Banja Luka gjenocidin në Srebrenicë?”, në të cilin shprehu një neveri për një demonstratë të planifikuar në mbështetje të ish-komandantit serb të Bosnjës Ratko Mlladiq nën patronazhin e të cilit trupat serbe të Bosnjës vranë rreth 8,000 boshnjakë në qytetin lindor të Srebrenicës në korrik 1995 – mizoritë më të këqija në Europë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Protesta do të mbahej nën sloganin “Mbështetje për gjeneralin Ratko Mlladiq – Mjaft me gënjeshtra për Srebrenicën”.

Ajo ishte planifikuar për më 11 korrik – të njëjtën ditë me përkujtimoren e përvitshme të masakrës së boshnjakëve në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Mlladiqit, por në fund u anulua.

Bursaq tha se ishte i tronditur nga mosveprimi i gjykatave. “Problemi është në sistemin gjyqësor. Personat që më kërcënojnë mua dhe familjen time jo vetëm nuk janë sanksionuar, por për më tepër, me emra dhe mbiemra të plotë ata vazhdojnë të më kërcënojnë, duke më treguar mua dhe botës se, për momentin, askush nuk mund t’u bëjë gjë atyre,” tha Bursaç.

Bursaq fitoi Çmimin Europian të Shtypit 2018 në kategorinë “Opinion” për artikullin e tij “Vrasja e tretë e djaloshit Petar nga Konjici”, në mars të këtij viti.

Por ai thotë se çmimet nuk kanë ndryshuar situatën në lidhje me sigurinë e tij.

“Po, e mora çmimin si gazetari më i mirë europian. Po, njerëzit nga Brukseli janë në dijeni të problemeve me të cilat përballem, por kjo njohje është për punën time, jo për situatën që ajo mund të shkaktojë. Do të isha i lumtur nëse vendi im do të ishte një vend ku askush s’të vë në shënjestër vetëm se e bën punën tënde siç duhet dhe me ndershmëri,” komentoi Bursaq.

Edhe pse kërcënimet dhe masat e sigurisë kanë një ndikim të dukshëm në punën e tij, Bursaq tha se nuk ka ndërmend të heqë dorë.

“Unë duhet dhe do të punoj. Sigurish ka vështirësi të natyrës logjistike kur më duhet ta kaloj të gjithë ditën ose me ditë të tëra në një rajon policie dhe jo në redaksinë e lajmeve,” tha Bursaq për BIRN.

Ndërkohë që ai vlerëson mbështetjen që ka fituar nga kolegët dhe shoqatat e gazetarëve, ai është i vetëdijshëm për kufijtë e asaj mbështetjeje.

“Njerëzit mund të më pëlqejnë ose jo, mua ose punën time, por kjo është shumë në rregull për aq kohë sa s’ka kërcënime të qarta,” përfundoi Bursaq.

Prokuroria në Republikën Srpska tha për BIRN se s’mund të tregojë apo bëjë ndonjë koment për ndonjë çështje që është ende në vazhdim.