Këndi i lojërave para ndërhyrjes për rregullimin e ndriçimit | Foto: KALLXO.com

Këndit të Fëmijëve i Kthehet Siguria

Vetëm një vit pas rregullimit të këndit të fëmijëvë në Rrugën “Afrim Zhitia” të Lagjes “Kodra e Diellit” në Prishtinë, për shkak të mosmirëmbajtjes nga komuna dhe kompania e kontraktuar prej saj, këndi i lojërave kishte pësuar defekte që mund të rrezikonin jetën e fëmijëve.

Shtyllat e ndriçimit këtu ishin jostabile, kabllot e tyre të zhveshura, ndërsa edhe ndriçimi ishte shumë i dobët.

Por pas interesimit të KALLXO.com, gjërat kanë ndryshuar për mirë.

Albiona Ibrahimi, banore afër këtij këndi, e cila thotë se i ka shkruar komunës dhe kompanisë përgjegjëse për të riparuar shtyllat dhe asnjëherë nuk ka marrë përgjigje, tregon se çuditërisht një ditë dikush ka rregulluar çdo gjë.

“I kam shkruar komunës dhe kompanisë, por asnjë përgjigje nga ta, mirëpo të premten kanë dalë në vendngjarje dhe e kishin rregullu gjithë problemin në detaje. ka pas shumë rrezik me u dëmtu ose me e nxan rryma dikë nga fëmijët, por shyqyr që e rregullun”, tha Ibrahimi.

Shtylla e rregulluar e ndriçimit

Për dëmtimin e këndit të lojërave të fëmijëve në “Kodër të Diellit”, KALLXO.com kishte kërkuar përgjigje nga komunë dhe kompania e kontraktuar për mirëmbajtje të ndriçimit, por asnjëra nuk e kishte pranuar fajin për dëmtimet.

Kompania “Light and More”, me pronare Sanie Zymerin, e cila ishte e angazhuar për mirëmbajtjen e këtij këndi kur u pyet nga KALLXO.com për problemet me ndriçimin dhe rreziqet në këndin e lojërave, tha se nuk është përgjegjëse më për këtë park.

“Në lagjen ‘Bregu i Diellit’, në Rrugën ‘Afrim Zhitia’ afër këndit të lodrave është bërë ndriçim i ri në vitin e kaluar nga një kompani tjetër, andaj ne nuk jemi përgjegjës për riparimin e tyre, është kompania e cila ka ndërtu ndriçimin e ri”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Light and More”.

Kurse, Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë i energjetikës në Komunën e Prishtinës thotë se ndriçimi te fontana e këtij këndi ka garancion, por sipas tij mirëmbajtja e këndit të lojërave nuk është përgjegjësi e Drejtorisë së Shërbimevë Publike.

“Nëse është fjala rreth ndriçimit të fontanës së re që është bërë, është në garancion dhe nuk ka të bëjë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, do të thotë është investuar nga drejtoritë tjera. Riparimi është bërë vetëm në ndriçimin e vjetër dhe nuk ka kurrfarë dëmtimi”, tha Sadiku.

Para riparimit-kabllot në shtyllat e ndriçimit

KALLXO.com pyeti Sadikun se pse nuk i është kërkuar kompanisë së kontraktuar ta rregullojë ndriçimin e këndit të lojërave, pasi defektet ishin argumentuar me fotografi të dërguara.

“Kompania “Light and more SHPK” është e kontraktuar për mirëmbajtjen e ndriçimit në atë hapësirë ekzistuese të punuar vite më parë. Për fotot në fjalë dhe ndriçimin në fjalë duhet të kontaktoni drejtoritë tjera. Ne nuk e kemi mbikëqyrë dhe as nuk është me drejtorinë tonë (DSHPMSH) ku është në garancion e njëjta”, tha zyrtari i lartë i energjetikës në Prishtinë.

Pasi ndriçimi në këtë kënd u rregullua, KALLXO.com kontaktoi kompaninë “Light and More” për ta pyetur nëse ka intervenuar aty. Zyrtarë të kompanisë e mohuan ndërhyrjen.

As Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë i energjetikës në Komunën e Prishtinës nuk tregoi kush e rregulloi ndriçimin në këndin e lojërave të “Kodrës së Diellit”.

“Tashmë e keni përgjigjen rreth rregullimit të këtij këndi”, tha Sadiku.