Këndellja me vështirësi e skenës teatrore për fëmijë
Institucionet profesioniste teatrore kosovare kanë nisur ta marrin seriozisht inskenimin e shfaqjeve për fëmijë dhe të rinj. Megjithatë numri i shfaqjeve të realizuara për fëmijë dhe të rinj gjatë një sezoni në këto teatro, në raport me shfaqjet për të rritur, është i papërfillshëm.
Realizimi i shfaqjeve për fëmijë në këto teatro vazhdon të mbetet i vogël, e në shumë raste ad-hoc.
Edhe këtë vit nuk do të ketë ndonjë ndryshim. Vështirësitë financiare dhe ato infrastrukturore me të cilat po përballen teatrot publike në vend nuk lënë shumë hapësirë për këto institucione skenike.
Përveç TQP “Dodona” e cila ka një repertorë të rregullt për fëmijë, kryesisht në shfaqjet me kukulla, apo edhe Teatri “Avdush Hasani” në Podujevë, ku çdo të shtunë jepen shfaqje për fëmijë, teatrot tjera kryesisht shfaqjet për fëmijë i vënë në skenë herë pas here.
Të shtunat e fëmijëve
Agron Gërguri, drejtor Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë, ka thënë për Kallxo.com se teatri që ai drejton jep rregullisht shfaqje për fëmijë çdo të shtune, në orën 16:00, dhe njëkohësisht synon të standardizojë edhe një termin për të rinj pa lënë anash edhe përpjekjet për repertorin e rregullt të këtij teatri
“Ka dy vite që funksionon skena për fëmije në kuadër të së cilës vijon kursi për aktrim me aktore profesioniste Sindi Çitaku dhe Semira Latifi. Gjithashtu është aktivizuar edhe skena për të rinj me shfaqjen Fausti (fragmente nga “Fausti” i Getes)”, ka thënë drejtori Gërguri, duke shtuar se pjesë e skenës për fëmijë në “Avdush Hasani” janë edhe shfaqjet, “Aventurat e fëmijëve” dhe “Ëmbëltorja blu”.
Gërguri ka thënë se teatri “Avdush Hasani” do të ketë konkurs për regjistrimin e anëtarëve te rinj, pasi sipas tij, skena e fëmijëve dhe të rinjve, janë dy seksione që funksionojnë mirë në këtë teatër.
Kurse Valdet Rama zyrtarë i lart i artit në Teatrin “Dodona”, shfaqja e të cilit pritet të jepet premierë të këtë të shtunën në “Dodonë”, ka pohuar se teatrot në vend janë duke u përballur me mungese financash, me numër shume te vogël te punësuarish e sidomos aktorësh të mirë.
“Kur kësaj i shtohet edhe tendencat që më shumë të punohet për të rriturit, është e qartë se për projekte (shfaqje) të fëmijëve dhe adoleshentëve nuk ka fonde”, ka pohuar ai, duke përmendur edhe mungesën e teksteve kualitative për fëmijë për inskenim.
TQP “Dodona” çdo të shtunë në dy termine ka në program një shfaqje për fëmijë.
Edukimi përmes teatrit
Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana Abdullahu” të Ferizajt, duke folur rreth problemit të inskenimeve të teksteve për fëmije ka pohuar se teatri i Ferizajt për çdo vit ka nga një shfaqje për fëmijë në bashkëpunim me OJQ apo me shkollat fillore.
“Teatrot në përgjithësi kanë probleme financiare dhe kjo ndikon që të kemi vetëm një shfaqje pasi as për të rritur nuk kemi aq shumë. Vitin e kaluar kemi pas një shfaqje të fëmijëve dhe një shfaqje për të rinj”, ka pohuar ai.
Për Ilir Muharremin, kritik dhe profesor në Fakultetin e Edukimit të UP-së, ka thënë se teatri për fëmijë më së paku është duke ju kushtuar vëmendje.
Sipas tij, ana pozitive e investimit dhe zhvillimit të këtij teatri është se të vegjlit, njoftohen me personazhe pozitive, negative, dinake, koprracie, të padijshme, të mençura etj.
“Ata zhvillojnë të menduarit, ngase imagjinojnë sikur atyre tu kishte ndodhur kjo ngjarje, e cila bartet si një mesazh shumë i shëndoshë në trurin e bardh të tyre”, ka thënë Muharremi.
Ai ka thënë se fëmijët e sotëm janë të pushtuar nga teknologjia më moderne që ka ekzistuar ndonjëherë. Tërë bota e tyre po shndërrohet në një ylber elektronik me personazhe të llojllojshme të krijuara nga mjeshtrit e mëdhenj të perëndimit, madje këto personazhe ata i kërkojnë edhe në teatrin e tyre modest të kukullave.
“Po të mos shfaqeshin personazhet e filmave vizatimor, interesimi i fëmijëve nuk do të jetë në nivel të lartë, ngase do ndeshen me një ‘konfuzitet’ ose absurditet të pa njohur. Sa herë që përmendet ndonjë shfaqje me kukulla, menjëherë në mendje ju vjen ‘Pinokio’, me hundë të gjatë, faqe të kuqe dhe këmbë prej druri”, ka thënë ai.