Aleksander Vuçiq, Johannes Hahn dhe Miroslav Lajcak - Foto: BETA

BE Këmbëngul për Bashkëpunimin e Serbisë për Krimet e Luftës

Pas muaj të tërë vonesash, BE të hënën miratoi hapjen e Kapitujve 23 dhe 24, dy kapitujt kyç rreth sundimit të ligjit në negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE, por këmbënguli se Beogradi duhet të përmbush disa standarde për çështjen e krimeve të luftës.

Standardet e përcaktuara për Kapitullin 23, i cili mbulon gjyqësorin dhe të drejtat fundamentale, përfshin këmbënguljen që Serbia ta zbatojë strategjinë e saj kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës, të miratojë një strategji prokuroriale për krimet e luftës, të përmirësojë ndihmën e saj për viktimat dhe programet për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të ndjekë penalisht autorë krimesh të nivelit të lartë.

Serbia duhet të bashkëpunojë edhe me fqinjët e saj për çështjet e krimeve të luftës, sidomos për personat e zhdukur nga konfliktet në Ballkan.

Serbia duhet të angazhohet “në një bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe në marrëdhëniet e mira fqinjësore për trajtimin e krimeve të luftës, duke shmangur konflikte juridiksioni dhe duke u siguruar që krimet e luftës të ndiqen penalisht pa asnjë diskriminim”, thotë dokumenti i BE-së për hapjen e kapitujve.

“Të gjitha çështjet e rëndësishme në këtë aspekt duhet të zgjidhen plotësisht,” shton ai.

BE-ja kërkoi më tej bashkëpunim të plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, pasi Beogradi së fundmi refuzoi të dërgonte në Hagë tre anëtarë të Partisë Radikale Serbe për t’u përballur me akuzat për shpërfillje të gjykatës.

Hapja e dy kapitujve përbën një çast të rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit të Serbisë pasi Kroacia bllokoi hapjen e kapitujve për tre muaj me radhë.

Zagrebi këmbëngulte që Beogradi të ndryshojë ligjin e tij për ndjekjen penale të krimeve të luftës, të sigurojë mbrojtje më të mirë të pakicës kroate në Serbi dhe të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e Hagës.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha se kjo ishte “një ditë e madhe për Serbinë”.

“Ne e dimë që kemi ende shumë punë për të bërë dhe se do të jetë e vështirë, por jemi gati,” shtoi ai.

Vuçiq u zotua se do të punojë me homologët e tij kroatë për të siguruar kushte më të mira për pakicën kroate në Serbi, por përsëriti këmbënguljen e tij se Beogradi nuk do ta ndryshojë ligjin për ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Ai shpjegoi se shumë vende të BE-së kanë ligje të ngjashme që lejojnë ndjekjen penale të disa prej krimeve më brutale.

Sipas ligjit aktual, Serbia ka juridiksion universal mbi krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi dhe mund të ndjekë penalisht të gjitha krimet, pavarësisht vendit se ku ato ndodhën apo se cilët ishin autorët e krimit.

Kjo shkaktoi shqetësim në Kroaci, e cila druhet se ndaj veteranëve të saj të luftës mund të ngrihen shumë padi.

Pavarësisht hapjes së kapitujve, Zagrebi vazhdon të këmbëngulë që Serbia ta ndryshojë ligjin.

“Serbia do të duhet të pezullojë atë ligj dhe të bashkëpunojë me Hagën. Ajo ka gjithashtu një detyrim për të siguruar kompensime për viktimat e luftës dhe të sigurohet që në parlamentin e Serbisë të ketë përfaqësues të pakicës kroate,” tha për mediat ministri i Kroacisë për Çështjet Evropiane.

Ministri kroat i Veteranëve të Luftës, Tomo Medved, tha ndërkohë që ishte “e papranueshme” që Serbia të ndiqte penalisht njerëz që mbrojtën Kroacinë.

“Nëse ata nuk veprojnë në mënyrë profesionale, në përputhje me afatet dhe nëse nuk e revokojnë këtë ligj, Kapitulli 23 do të bllokohet për 20, 30 vjet,” tha Medved në një konferencë për shtyp.

BE-ja caktoi një total prej 50 standardesh të përkohshme për Kapitullin 23 dhe 41 standarde të përkohshme për Kapitullin 24 që duhet të plotësohen nga Serbia.

Kapitujt 23 dhe 24 konsiderohen kapituj tepër të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe ato do të mbeten të hapura për negociata deri në fund të negociatave të Serbisë me BE-në.

Kroacia, anëtare e BE-së, ka të drejtë të bllokojë negociatat derisa të përmbushen kushtet apo standardet.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak, i cili udhëhoqi delegacionin e BE-së në takimin e së hënës, i përshkroi dy kapitujt si “të rëndësishëm dhe kërkues”.

“Këta kapituj lidhen me vlerat dhe parimet bazë të BE-së: demokracinë, sundimin e ligjit, sistemin e pavarur gjyqësor – zona tepër të rëndësishme për futjen e standardeve europiane dhe forcimin e të drejtave të qytetarëve,” tha Lajcak.

Serbia tani ka hapur katër nga gjithsej 35 kapituj në negociatat e saj të pranimit në BE.