Zëvendëskryeministri, Ramiz Kelmendi, në takim me drejtues të “Stone Castle” – Foto: ZKM

Kelmendi Kërkon Avancim të Prodhimeve Bujqësore në Rahovec

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, u ka bërë thirrje fermerëve e biznesmenëve të rajonit të Rahovecit që të shtojnë punën dhe cilësinë e prodhimeve të tyre dhe kështu të avancojnë drejt ndërkombëtarizimit të tregut.

Po ashtu, Kelmendi kërkoi nga fermerët që të bashkëpunojnë me institucionet dhe ekspertë të jashtëm për të njohur tregun ndërkombëtar, në mënyrë që prodhimet e tyre të shiten më shumë dhe me çmim më të mirë.

“Duhet t’i përshtatemi tregut ndërkombëtar, duke e kuptuar se çka kërkohet më shumë në interes të shtimit të prodhimit dhe shtimit të profitit. Duke fituar ju fiton edhe Kosova”, tha zëvendëskryeministri.

Këto deklarata Ramiz Kelmendi i ka bërë gjatë një vizite që e zhvilloi në Komunën e Rahovecit, ku u prit nga kryetari Idriz Vehapi.

Vehapi tha se ka marrë zotimin e zëvendëskryeministrit për finalizimin e të ashtuquajturës “agro-zonë” në këtë qytet.

“Biseduam për cikle tjera të prodhimit, për finalizimin e këtyre produkteve bimore që zhvillohen në tokat e Rahovecit. Po ashtu edhe për “agro-zonën”, e cila nuk ka filluar të ndërtohet, por ka qenë e planifikuar të ndërtohet shumë vite më parë”, deklaroi kryetari i Komunës së Rahovecit.

Gjatë qëndrimit në Rahovec, Kelmendi vizitoi edhe bodrumin e verarisë ‘Stone Castle’ dhe kompaninë ‘Osa Termosistem’, ku u prit nga drejtuesit këtyre kompanive.