KEK-u Sqaron Aktakuzën e Prokurorisë

Korporata Energjetike e Kosovës e ka lëshuar një sqarim rreth aktakuzës së Prokurorisë për pesë zyrtarët e kësaj korporate.

KEK-u thotë se në tenderin për “Furnizim me pjesë rezervë për makina të rënda”, i cili ishte realizuar në vitin 2011, është nënshkruar kontrata me operatorin më të lirë.

“Sipas dokumentacionit që ne posedojmë, në këtë rast KEK-u ka shpërblyer operatorin ekonomik, i cili i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara në dosjen e tenderit, ka qenë  me çmim dukshëm më të lirë se të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë, prandaj vlerësohet se KEK-u në këtë rast ka përdorur parimin e ekonomicitetit duke mos e dëmtuar buxhetin e Korporatës”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Madje, KEK-u arsyetimet i mbështet edhe në vendimin e OSHP-së si organ i vetëm ekzekutiv dhe më kompetent juridik për prokurim. Ndërkohë, që Prokuroria i ka akuzuar edhe dy zyrtarë të OSHP-së për të njëjtin tender.

KEK-u thotë se kontrata e nënshkruar në vitin 2011 është realizuar konform kushteve të parapara me kontratë dhe se janë të gatshëm të përgjigjen në çdo kërkesë që vjen nga organet përkatëse.

Njazi Thaçi, drejtor operativ në KEK, akuzohet nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011.

Thaçi akuzohet për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Ai është kushëriri i presidentit Hashim Thaçi.

Së bashku me Thaçin akuzohen edhe katër zyrtarë të tjerë të KEK-ut për të njëjtin tender.

Po ashtu, Prokuroria Speciale akuzon edhe ish-kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha dhe ekspertin shqyrtues të këtij organi, Azem Durakun.

Kjo është aktakuza e katërt për ish-kryetarin e OSHP-së, Hysni Hoxha.

Kushëriri i Hashim Thaçit në Aktakuzën për Tenderin e KEK-ut