KEK

KEK: Nuk jemi përgjegjës për furnizimin e konsumatorëve me rrymë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka dalë me një reagim sa i përket reduktimeve të mëdha me energji elektrike që po ndodhin këto ditë në Kosovë.

“KEK-u nuk ka asnjë përgjegjësi sa i përket furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike dhe reduktimeve qe po ndodhin. Sipas licencës, KEK-u nga viti 2013 ka përgjegjësinë ekskluzive vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe eksploatimit të thëngjillit”, thuhet në komunikatën e korporatës.

Sipas KEK-ut, furnizues publik (furnizues i shërbimit universale) nga viti 2013, sipas licencës është KEDS/KESCO.

“Ky operator ka përgjegjësi dhe obligim për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Ndërsa KOSTT është përgjigjes për balancimin e sistemit të energjisë elektrike. Prandaj, për reduktimet apo mungesën e energjisë elektrike të konsumatorëve duhet të japin llogari ata të cilët janë të licencuar dhe kanë këto obligime. Fundja pikërisht për këtë arsye edhe është privatizuar distribucioni, pra që të sigurohet energji elektrike sa janë nevojat e konsumit dhe jo vetëm sa janë kapacitet tona të prodhimit”, thuhet në reagim.

KEK thotë se duke e parë situatën e krijuar dhe shqetësimet e mëdha të qytetarëve për mungesën e furnizimit me energji elektrike, dëshirojnë të ju njoftojnë edhe një herë me kapacitetet e tyre prodhuese qe i kanë aktualisht, si dhe të sqarojnë njëherë e mirë se cilat janë përgjegjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe sipas tyre, se kush e ka përgjegjësinë  për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.

“Fillimisht me lejoni të ju njoftoj KEK-u, sipas Bilancit energjetik, deri me 15/12/2018 ka qene e planifikuar të kemi ne operim dy njësi gjeneruese në TC “Kosovës A” dhe një njësi gjeneruese në TC “Kosova B”. Aktualisht jemi në prodhim me “Njësinë B2” të TC “Kosova B” e po ashtu me “Njësinë A3” të TC “Kosova A”. Kapacitetet tona prodhuese aktualisht janë mbi 400 Megavat/Orë energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Kurse sipas KEK-ut, “Njësia A4 e TC “Kosovës A”, me datën 21.11.2018 është jashtë operimit për shkak të një defekti teknik të paraqitur në rrjedhën e Kaldajës (kjo njësi është instaluar para 60 viteve, prandaj ka probleme të mëdha teknike).

“Sipas obligimeve dhe rregullave të tregut, KEK-u me kohë, 24 orë me herët i ka njoftuar operatorët për këtë ndalesë. Sipas planifikimit pritet të kthehet në prodhim më datën 26.11.2018. Ndërsa, “Njësia B1” e “Kosovës B” e cila është në remont të planifikuar vjetor pritet të startoj me prodhim me datën 15.12.2018”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

https://kallxo.com/keds-jemi-duke-u-ballafaquar-me-mungese-te-energjise-elektrike/