Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

KEK Njofton se të Gjitha Njësitë Janë në Prodhim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se aktualisht është duke punuar me kapacitete të plota në prodhimin e energjisë elektrike.

“Të gjitha njësitë e termocentraleve të KEK-ut janë në punë dhe po prodhohet sipas planit të deklaruar”, theksohet në njoftimin e KEK-ut.

Sipas KEK-ut, njësia B2, e cila sot për pak orë ishte jashtë prodhimit, si pasojë e disa defekteve të vogla teknike, është kthyer në punë në afat rekord, pra para orës 14:00, në sa edhe kanë qenë të njoftuar operatorët tjerë në treg dhe qytetarët.

Ndryshe gjatë ditës, pavarësisht reduktimeve të shumta dhe shqetësimeve të qytetarëve, KEK-u ka prodhuar 540 megavat për orë energji elektrike, e po ashtu edhe rreth 90 megavat kanë qenë në dispozicion të siguruara nga prodhimi i Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH).

Po ashtu KEK ka dhënë sqarim për qytetarët duke thënë se aktiviteti ekskluziv i KEK-ut është vetëm eksploatimi i thëngjillit dhe prodhimi i energjisë.

“Në këtë rast KEK me kohë deklaron kapacitetet të cilat i ka në dispozicion për KESCO-n, në përputhje të plotë me rregullat e tregut dhe kontratën në fuqi, ndërsa furnizimi konsumatorëve me energji elektrike është obligim i KEDS/KESCO si bartës i licencës se furnizuesit”, thuhet në njoftimin e KEK.

Sot KEK-u e KEDS-i nëpërmjet komunikatave fajësuan njëri-tjetrin për mungesë të energjisë elektrike.

http://kallxo.com/kek-u-reagon-ndaj-spekulimeve-te-keds/