KEDS “nuk di” si ta zbatojë vendimin e gjykatës për të larguarit nga puna

93 vendimet përmes të cilave Kompania për Furnizim dhe Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës punonjësve të vetë ishin shfuqizuar me aktvendim të Gjykatës në shkurt të vitit 2017 por ato vendime nuk janë zbatuar deri më tani nga kjo kompani.

Përfaqësuesi i KEDS, Arbër Krasniqi, në një seance dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës  tha se arsyeja e mos ekzekutimit të vendimit të gjykatës është padijenia se si të ekzekutohet dokumenti përmbarues.

“Bordi i drejtoreve të KEDS, e ka shqyrtuar aktvendimin të cilin nuk kanë ditur se si të zbatohet ai dokument përmbarues”, tha Krasniqi.

Pas kësaj përfaqësuesi i punëtorëve të KEDS, avokati Nasuf Hasani, tha se kjo është papërgjegjësi e KEDS si ndaj punëtoreve ashtu edhe ndaj gjykatës.

Hasani kërkoi që ndaj Kompanisë KEDS gjykata të shqiptojë “gjobat më të larta të mundshme”.

Në këtë rast rreth 100 punëtorë të KEDS-it ishin larguar nga puna para më shumë se 2 viteve.

Ata kishin kërkuar të drejtën e tyre përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë duke mos u pajtuar me vendimin për largim nga puna, por edhe me protesta në rrugë.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim në favor të tyre, mirëpo KEDS e kishte dërguar rastin në Apel.

Duke vendosur sipas ankesave, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e gjykatës Themelore.

KALLXO.com, ka raportuar në vazhdimësi të këtij rasti. Raportimet mund t’i lexoni në këtë link.