KEDS: Jemi duke u ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike

Ditëve të fundit, në disa Komuna të Kosovës ka pasur ndërprerje me orë të tëra të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka deklaruar për KALLXO.com se për momentin janë duke u ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike.

“Nga prodhimi vendor po arrihet të prodhohen më pak se 400 MW që nuk arrin të mbulojë as 50% të konsumit. Ne jemi duke importuar të gjithë energjinë që po mund ta gjejmë në treg dhe po e blejmë atë me një çmim shumë të lartë, rreth 100 deri 120 EURO për MW”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Buzhalës, kjo është 4 herë më e shtrenjtë se rryma që prodhohet në vend.

“Këto çmime të larta kanë ndikim në çmimin e rrymës për konsumatorët”, tha zëdhënësi i KEDS-it për KALLXO.com.

Sipas Buzhalës, reduktimet do të vazhdojnë për shkak të situatës së krijuar.

“Në këtë situatë, për të balancuar sistemin jemi të detyruar që të aplikojmë ndërprerje duke bërë përpjekje maksimale që konsumatorët të afektohen sa më pak. Ne u bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë për aq sa munden në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë vështirë”, tha ai.

Lidhur me reduktimet me energji elektrike, ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka quajtur zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

“I papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta. Menaxhmenti i KEDS dhe KEK duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë”, u shpreh kryeministri.

Sipas Haradinaj, drejtues të KEK dhe KEDS e kanë për obligim dhe janë të thirrur të sigurojnë energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Nuk pranojmë asgjë më pak!”, shkroi kreu i Qeverisë.