KDI: Opozita me rol kyç në përmirësimin e performancës se Kuvendit në vitin 2018

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës përgjatë vitit 2018, krahasuar me vitet paraprake, ka rritur performancën, sidomos në aspektin numerik.

KDI bazuar në monitorimin e punës së Kuvendit, njofton se progres është shënuar në përmbushje të agjendës legjislative (nga 36% gjatë viteve 2015 dhe 2016 në 42% në vitin 2018), në nisma legjislative,  në inicimin e interpelancave dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.

“Pavarësisht performancës pozitive në numra, mungesa e kuorumit ka përcjellë punën e Kuvendit për vitin 2018, ku në pamundësi të vendimmarrjes shumica e seancave plenare të mbajtura është dashur të shtyhen për ditë të tjera. Edhe në rastet kur është siguruar kuorumi, shumë ligje nuk janë votuar, pasi që deputetët nuk kanë marrë pjesë në votim. Si rrjedhojë, shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme janë grumbulluar dhe  vendosur në një seancë të vetme. Si pasojë e këtyre veprimeve, Kuvendi ende nuk ka arritur t’i përfundoj të gjitha seancat e filluara, përfshirë këtu çështje që kanë qenë në rend dite të seancave nga muaji shtator”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

KDI ka vlerësuar se koalicioni qeverisës është sfiduar vazhdimisht me mungesën e numrave, dhe që sipas tyre, opozita ka qenë faktori kyç në përmbushjen e agjendës legjislative gjatë këtij viti.

“Nga 75 ligjet e miratuara sivjet, deputetët nga grupet parlamentare në opozitë kanë votuar shumicën dërmuese të tyre. 38 nga 75 ligjet e miratuara këtë vit janë ligje që derivojnë nga MSA ose Agjenda për Reforma Evropiane si dhe marrëveshje ndërkombëtare, dhe të gjitha janë votuar nga subjektet në opozitë. Për më tepër, shumë ligje tjera, siç janë ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, Ligji për Kryeqytetin etj. Po ashtu janë votuar nga deputetët opozitar. Në tërësi, janë vetëm 11 ligje të cilat janë miratuar pa pjesëmarrjen e deputetëve të dy grupeve të mëdha opozitare, LDK dhe VV”, thuhet mes tjerash në njoftimin e KDI-së.

Ndërkaq, Instituti Demokratik i Kosovës i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, në këtë komunikatë ka sjellë disa rekomandime:

Kuvendi duhet ta rikthej praktikën e mbajtjes së seancave në ditën e enjte eventualisht në të premten, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës, në mënyrë që t’i epët hapësirë komisioneve parlamentare që mbledhjet e tyre t’i mbajnë ditëve te tjera. Në këtë mënyrë do të zvogëlohej mundësia e dështimit qoftë të seancave ose të mbledhjeve të komisioneve dhe të grumbullimit të çështjeve që duhet të shqyrtohen.

Mungesat e deputetëve do të duhej të rregulloheshin përmes Rregullores së re së Punës së Kuvendit. Rregullorja aktuale nuk parasheh ndonjë masë ndëshkuese për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit, dhe u ofron mundësinë e mospjesëmarrjes në punë për gjashtë muaj me radhë.

KDI fton Kuvendin e Kosovës të publikoj në kohë raportet e shpenzimeve si dhe të ofroj detaje mbi shpenzimet dhe qëllimet e vizitave të deputetëve jashtë vendit.

KDI rekomandon që të respektohet Rregullorja e Kuvendit gjatë shqyrtimit dhe miratimit të projektligjeve. Kuvendi nuk duhet të miratoj ligje me procedurë të përshpejtuar, duhet të trajtoj në veçanti secilin amendament të propozuar dhe të inkurajoj diskutimin publik të projektligjeve përmes dëgjimeve publike dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.

KDI fton deputetët e Kuvendit të Kosovës që të jenë më bashkëpunues dhe më të hapur për të arritur konsensusin gjithëpërfshirës për dialogun me Serbinë, pasi që viti 2019 pritet të jetë jetik për këtë proces dhe marrëveshja finale me Serbinë do të duhej të shërbente si arsye e mjaftueshme për të bërë bashkë të gjithë skenën politike në vend, sidomos në Kuvend.