KDI: Operatorët ekonomik në Kosovë po amnistohen nga veprat penale

Instituti Demokratik i Kosovës KDI, ka kërkuar nga Prokuroria dhe OSHP-ja që ti adresojnë rastet kur operatorët ekonomik falsifikojnë dokumente gjatë procesit të tenderimit, të diskualifikohen deri në vendim të gjykatës e jo vetëm 12 muaj.

Elira Tahiri nga KDI ka thënë se në rastet e trajtuara nga OSHP janë vërtetuar falsifikime nga operatorët ekonomik dhe ka lëshuar vendime për diskualifikim të operatorëve ekonomikë gjatë periudhës 12 mujore.

“Ka të bëjnë me falsifikim të autorizimeve të prodhuesit, falsifikim të katalogëve, falsifikim të certifikatës ISO, falsifikim të certifikatës së ATK-së, falsifikim të vulës dhe tekstit të noterit, falsifikim të diplomave dhe të gjitha këto janë vepra penale”, tha Tahiri.

Ajo pret që këto raste të adresohen.

“Në pesë raste operatorët ekonomik janë diskualifikuar për periudhën 6 mujore për kryerjen e një vepre penale dhe në tre raste dënimet për operatorët e ekonomik kanë qenë diskualifikimet për 12 muaj apo 1 vit për pjesëmarrje në prokurim publik”, shtoi Tahiri.

Ndërsa Diana Metushi-Krasniqi, tha se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet t’i inicioj këto ndryshime ligjore për Ligjin e Prokurimit Publik.

“Operatorët ekonomik që falsifikojnë dokumente gjatë procesit të tenderimit të diskualifikohen deri në vendim të Gjykatës, e jo vetëm 12 muaj siç ndodh tani”, shtoi ajo.

Sipas saj nga 2 nëntori lista e zezë e Organit Shqyrtues të Prokurimit është e pastër pasi të gjithë operatorëve iu ka skaduar masa e ndëshkimit për diskualifikim nga proceset tenderuese në periudhën deri në 1 vit.