KDI: Një Virus në Prokurimin e Ministrisë së Shëndetësisë

Prokurimi në Ministrinë e Shëndetësisë po përcillet me ‘probleme kronike’ me transparencën, thuhet në raportin për vitin 2015 që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi sot.

Raporti i titulluar “Virus Transparentitis” thotë që gjatë vitit të kaluar, këtij instituti i është lejuar qasja në vetëm 6 nga 11 kontratat e lidhura nga kjo ministri.

“Ministria e Shëndetësisë ka probleme kronike me transparencën”, tha Artan Canhasi nga KDI.

Nga analiza e këtij raporti, në pjesën në të cilën është lejuar qasja brengat kryesore lidhur me prokurimin brenda MSh-së kanë të bëjnë me çmimin tejet të lartë të produkteve, krahas buxhetit të kësaj ministrie.

Kjo, sipas raportit, rezulton me mosplotësim të nevojave.

Raporti thotë se kjo ministri vazhdon të përballet me probleme të njëjta sikur të viteve të mëhershme.

Gjetjet e këtij raporti flasin për blerje të ilaçeve me kosto të lartë në buxhetin e kufizuar të Ministrisë se Shëndetësisë, dhe përmbushjen vetëm 40 për qind të nevojave të pacientëve.

“Kjo tregon se ka hapësirë të madhe për përmirësim të planifikimit të blerjes së ilaçeve”,  tha Diana Metushi- Krasniqi nga KDI.