KDI: Komunat rrisin transparencën në prokurim publik

Instituti Demokratik i Kosovës- KDI në bashkëpunim me USAID-in sot kanë publikuar raportin e hulumtimit mbi transparencën e komunave të Kosovës në prokurim publik, për vitin 2018.

Sipas KDI, arritje për vitin 2018 ka qenë publikimi i kontratave pas nënshkrimit me operatorët ekonomik.

Zeinah Salah nga USAID ka thënë se transparenca dhe llogaridhënia e nivelit qendror dhe atij komunal janë indikatori i parë i luftimit të korrupsionit.

Salah ka shtuar se raporti i këtij indeksi tregon që arritja e 2018 ka qenë publikimi i kontratave në e- prokurim dhe ka rritje prej 28 për qind në nivelin komunal.

“Transparenca është e rëndësisë thelbësore për luftimin e korrupsionit. Prokurimi i hapur dhe transparent krijon një nivelizim të fushës së lojës dhe me futjen e këtij sistemi( prokurimi publik) është zvogëluar shifra për 100 euro për kompanitë që aplikojnë për një tender, si në infrastrukturë, shëndetësi, arsim e shumë fusha të tjera”, ka thënë ajo.

Tutje ajo tha se edhe në prokurim publik ka vend për përmirësime, sidomos pjesëmarrja e qytetarëve në planifikimi e buxhetit.

“Ka vend për përmirësim aty ku qytetarët duhet të marrin pjesë në planifikimin e buxhetit komunal, të ketë thirrje që qytetarët të jenë më aktiv dhe të kërkojnë më shumë llogaridhënie dhe transparencë nga udhëheqësit komunal”, përfundoi ajo.

Rozafa Ukimeraj, sekretare ne MAPL, ka thënë se në performansën e mirë të komunave ka ndikuar edhe ridizajnimi i ueb-faqeve, pasi sipas saj dizajnet e reja të faqeve në një farë forme i obligojnë komunat të publikojnë kontratat e gjëra të tjera.

“138 autoritete kontraktuese janë të obliguar ta përdorin e-prokurim. Avancimi i transparencës në nivel komunal MAPL ka nxjerrë pesë udhëzime administrative që të ketë sa më shumë llogaridhënie dhe transparencë nga komunat e Kosovës. Ne kemi bërë ridizajnimin dhe ëeb faqeve dhe në 2018 ato janë ridizajnuar të gjitha dhe kanë bërë që të publikohen të dhënat komunale në lidhje me prokurimin publik”, ka thënë Ukimeraj.

Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se si komunë kanë marrë vendim që të bëjnë publike të gjitha vendimet.

Po ashtu, Ahmeti ka thënë se publikimi i faturave nga mediat ka bërë që drejtorët e kësaj komune të ulin kërkesat për darka e dreka zyrtare.

“E para që kemi marrë vendim që në fillim është që të publikojmë çdo gjë dhe ky është vendim, i cili fillimisht duhet të merret me sinqeritet. Kjo do të thotë se i publikojnë edhe gabimet, por edhe vendimet e OShP-së, por edhe vendimet e MAPL-së. Drejtorët nuk vijnë të kërkojnë më dreka zyrtare pasi që e dinë pasi që do i publikohet ajo faturë”, është deklaruar Ahmeti.

Autorja e hulumtimit nga KDI, Diana Metushi- Krasniqi, ka treguar se ky hulumtim është bazuar në gjashtë shtylla kryesore: prokurim publik (duke përfshirë ankandet publike), transparencë buxhetore, qasje në dokumente publike, informim dhe pjesëmarrje e publikut, grantet dhe financimi dhe etika profesionale dhe konfliktet e interesit.

Po ashtu, Metushi- Krasniqi ka thënë se në krahasim me vitin 2017 ka pasur rritje prej 30 për qind në transparencë të prokurimit publik. Në transparencë buxhetore ka pasur rritje për 16 për qind në krahasim me vitin 2017.  Ndërsa kërkesat për qasje në dokumente publike në prokurim publik, në krahasim me vitin 2017, ka rënë për në 59 kërkesa.