Ekipi negociator i Kosoves foto KALLXO.com
KDI kërkon llogari nga qeveria për shpenzimin e buxhetit nga delegacioni shtetëror
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që ta marrë drejtimin e dialogut me Serbinë si dhe koordinim me Presidentin e vendit rreth përgjegjësive të tyre kushtetuese.
Në një konferencë për shtyp pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin delegacioni shtetëror u shpall anti-kushtetues, Jeta Krasniqi nga KDi ka thënë se qeveria duhet të japë llogari se si është shpenzuar buxheti i ndarë për këtë organ.
“Procesi i dialogut duhet të rikthehet nën udhëheqjen e Kryeministrit të vendit dhe nën mbikëqyrjen e rregullt të Kuvendit të Kosovës. Kryeministri dhe Presidenti duhet të konsultohen dhe të funksionojnë të koordinuar në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese, duke lënë anash përplasjet politike rreth përfaqësimit në këtë proces”, tha Krasniqi.
Krasniqitha që vendimi i Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se Ekipi negociator i Shpend Ahmetit e Fatmir Limajt, janë anti-kushtetues, ka shënuar një kthesë të re për sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.
“KDI vlerëson së aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese shënon një kthesë të re lidhur me procesin e dialogut. Pas kontestimit të ligjit nga LDK dhe VV aktgjykimi ka kërkuar që të gjitha veprimet të merren të mos cenojnë ndarjen e pushteteve. Para votimit të ligjit, KDI kishte bërë një analizë dhe ia kishte dorëzuar deputetëve, ajo çfarë mund të konkludojmë është që KDI ka kërkuar një lloj konsensusi politik për dialogun”, tha ajo.
Sipas saj, ndonëse ka 6 muaj që është krijuar ekipi negociatorë ka pasur mungesë të transparencës dhe ka pasur vetëm rol në suaza margjinale.
“Pas 6 muaj pas themelimit të delegacionit shtetëror ne mund të konkludojmë se roli i tij ka qenë vetëm në suaza margjinale. Ajo çfarë mund të themi gjithashtu është se periudha e këtyre 6 muajve është një periudhë ku ka munguar transparenca si dhe aspektin ligjor sesi janë ndarë mjetet prej 300 mijë eurove për këtë delegacion”, theksoi ajo.
Tutje Krasniqi i dha edhe rekomandimet e KDI-së, sesi duhet të vazhdoj procesi i dialogut duke theksuar se arritja e konsensusit politik është mëse e nevojshme.
“ KDI, kërkon nga institucionet që të respektojnë aktgjykimin e gjykatës, procesi ti kthehet kryeministrit, kryeministri dhe presidenti duhet të diskutojnë duke i lënë anash përplasjet politike. Qeveria duhet të sqarojnë edhe vlefshmërinë e platformës që është votuar në Kuvend. Procesi i dialogut duhet të funksionoj mbi bazën e vijave të kuqe, arritja e konsensusit mbetet tejet e rëndësishme për të quar përpara procesin e dialogut. Ne kërkojmë nga Kuvendi që të kërkojë llogaridhënie nga qeveria e Kosovës, komisionet parlamentare duhet të shfrytëzojnë rolin e tyre”, shtoi Krasniqi.
Sipas saj nuk duhet të përsëritet skenari i njëjtë i mungesës së transparencës për këtë proces.
“Problemi i transparencës ka qenë i vazhdueshëm, prandaj ne kërkojmë që të këtë transparencë, ku kryeministri dhe presidenti të raportojnë në Kuvend se çfarë ka ndodhur, ne kërkojmë nga qeveria që të bëjnë një vlerësim se çfarë ka ndodhur deri më tani, gjithashtu kërkojmë nga qeveria që të ofroj sqarime se ku janë shpenzuar 300 mijë euro të ndara për delegacionin shtetëror “, theksoi ajo.