KDI fton deputetët e Listës Serbe të marrin pjesë në seancën për Ushtrinë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka ftuar grupin parlamentar të Listës Serbe që të marr pjesë në seancën plenare për miratimin e pakos së Ligjeve për FSK-në, të cilat i mundësojnë FSK-së shndërrimin e saj në Ushtri.

“Pjesëmarrja e grupit parlamentar të Listës Serbe në këtë seancë parlamentare do të jetë në funksion të integrimit dhe zhvillimit të vlerave demokratike të shoqërisë së Kosovës. Pako e ligjeve të FSK-së, garanton përfshirjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, duke mos u bazuar në ndarje etnike. Ky transformim i FSK-së nuk duhet të shihet si kërcënim ndaj asnjë komuniteti që jeton në Kosovë”, ka thënë KDI përmes një njoftimi për medie.

Sipas KDI-së, FSK-ja si forcë ushtarake multi-etnike profesionale ka për detyrë të mbrojë integritetin territorial të vendit dhe të gjithë qytetarët e saj.

“Me miratimin e ligjeve për transformim të FSK-së, Kosova do të avancojë dhe do të kontribuojë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes jo vetëm brenda por dhe në rajon e me gjerë. Ritheksojmë se Kuvendi është institucioni përfaqësues ku duhet të zhvillohen të gjitha diskutimet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve të Kosovës. Andaj, është e rëndësishme që edhe deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe të përfshihen në këtë proces tejet të rëndësishëm për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, është thënë tutje në njoftim.

KDI shton se deri më tani transformimi i FSK-së ka marrë mbështetjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, të cilët kanë kontribuar që ky proces të jetë gjithë përfshirës, andaj kanë ftuar që dhe përfaqësuesit e Lista Serbe të bëhen pjesë e këtij procesi.