Paraqitja e hulumtimit të KDI-së

KDI: Albin Kurti, Politikani Model për të Rinjtë e Kosovës

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) del se politikani më model për të rinjtë është Albin Kurti me 13,7 për qind, i ndjekur nga Ramush Haradinaj me 7,8 për qind dhe Vjosa Osmani me 7.4 për qind.

KDI, ka kryer hulumtimin e dytë të opinionit publik në mesin e votuesve të rinj nga mosha 18 deri 22 vjeçare lidhur me sjelljet, qëndrimet dhe preferencat e tyre politike.

Ahmet Rushiti nga KDI ka theksuar se të rinjve u është kërkuar që të japin një emër se kush sipas mendimit të tyre është politikan model për ta. Janë 25.2 për qind e të anketuarve që kanë thënë se nuk kanë ndonjë politikan model.

“13.7 për qind kanë deklaruar se Albin Kurti është politikan model për ata, i pasuar nga Ramush Haradinaj me 7.8 për qind, Vjosa Osmani me 7.4 për qind, Shpend Ahmeti me 7.3 për qind, Hashim Thaçi me 7 për qind dhe Kadri Veseli me 5.8 për qind. Është edhe një numër tjetër i madh i personaliteteve që të rinjtë i kanë deklaruar, mirëpo në përqindje më të vogël”, ka bërë të ditur ai.

Me këtë rast Ahmet Rushiti, ka bërë të ditur se ashtu si edhe në vitin e kaluar, 61.5 për qind e të rinjve mendojnë se gjërat në vend nuk janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

“Problemet që të rinjtë i kanë nuk adresohen nga institucionet në Kosovë, qoftë në nivelin qendror, e po ashtu edhe në nivelin lokal. Papunësia me 68.7 për qind, liberalizimi i vizave me 61.9 për qind, shëndetësia me 57.1 për qind, luftimi i korrupsionit me 50.2 për qind dhe zhvillimi ekonomik 45 për qind, paraqesin shqetësimet kryesore të të rinjve”, ka thënë ai.

Sot u bë publikimi i të gjeturave kryesore të këtij hulumtimi, që konfirmon se problemet e të rinjve mbeten të njëjta dhe të paadresuara.

Kurse pyetjes se nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, a do të votonin 62.6 për qind e të rinjve i janë përgjigjur pozitivisht.

Ndërsa, se për kë do të kishin votuar nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin nesër, 27.1 për qind të të anketuarve janë përgjigjur se do të votonin LVV-në, 19 për qind PDK-në, 18.1 për qind LDK-në, 11 për qind AAK-në, 2,7 për qind Nismën për Kosovën , 1,4 për qind Listën Serbe, 1,2 për qind Aleancën Kosova e Re, 0,3 për qind Alternativën 1.5 për qind partitë tjera, ndërkaq kanë refuzuar të përgjigjen 17.7 për qind.

Kurse Eugen Cakolli nga KDI, ka bërë të ditur se të rinjtë e anketuar janë pyetur edhe për punën dhe performancën e qeverisë. Ai ka thënë se bazuar në hulumtim puna e saj vlerësohet si e dobët dhe jo-efikase nga 70 për qind e të rinjve të anketuar, kurse pjesa tjetër konsiderojnë që qeveria kritikohet padrejtësisht, përkundër punës së mirë.

“71.9 për qind e të anketuarve e shohin Qeverinë si përfaqësuese të interesave të një grupi të vogël të njerëzve, ndërsa 28.1 për qind vlerësojnë që qeveria punon në interesin e përgjithshëm qytetar”, ka shtuar ai.

Cakolli ka theksuar se janë shqetësuese të dhënat se vetëm rreth 15 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kanë komunikuar me ndonjë politikan apo kanë marrë pjesë në ndonjë debat me zyrtarë të partive politike.

Ndërkaq ka potencuar se sa u përket arsyeve pse të rinjtë janë anëtarësuar apo do të anëtarësoheshin në parti politike, 54.9 për qind e të anketuarve e shohin anëtarësimin në parti politike si mundësi për punësim më të lehtë.

Pyetësori ka përmbajtur rreth 50 pyetje, ndërkaq raporti përfundimtar dhe krahasimi me vitin e kaluar do të publikohen gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm.