Katër raste të dhunës ndaj grave në 24 orë

Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste për dhunë ndaj grave.

Policia ka njoftuar se në Prishtinë, një person i dyshuar, në gjendje të dehur kishte kanosur gruan e tij. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër për dhunë ndaj gruas është raportuar në rajonin e Prizrenit, ku i dyshuarit pas një mosmarrveshje ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua tjetër është sulmuar nga një person dje rreth orës 23:00 në Gjilan.

Sipas policisë, i dyshuari kishte sulmuar fizikisht viktimën, dhe i njejti kishte vazhduar ta kanosë atë përmes rrjetit social Instagram.

Policia ka njoftuar se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

KALLXO.com ka shkruar sot edhe për një rast të dhunës në familje në Gjakovë, ku i dyshuari kishte sulmuar fizikisht gruan dhe vajzën e tij.