Panairi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme - Foto: KALLXO.com

Katër Milionë Euro për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme

Në hapjen e panairit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, tha se në bashkëpunim me BE-në kanë investuar 4 milionë euro për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Kemi kënaqësinë që kompanitë kontraktuese të këtyre granteve kanë arritur të rrisin dukshëm kapacitetet e tyre prodhuese, duke rritur nivelin e eksportit dhe duke gjeneruar vende të reja të punës”, tha Kastrati.

Zëvendësministri shtoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë kontribuar në punësim. “Sipas statistikave, prej 36 ndërmarrjeve që i kemi në këtë panair janë hapur 200 vende të reja të punës”, shtoi ai.

Po ashtu, Kastrati tha se 20 për qind e këtyre ndërmarrjeve janë të udhëhequra nga gratë.

“Është më rëndësi të theksojmë se rreth 20 për qind e këtyre ndërmarrjeve janë të udhëhequra nga gratë, që është një e dhënë inkurajuese për fuqizimin e grave në ndërmarrësi”, tha Kastrati.

Zëvendësministri përmendi edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ku tha se kjo do të zgjerojë mundësitë e bizneseve në Kosovë për eksport dhe rritje të punësimit.

“Jemi optimistë që edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila ka filluar të implementohet nga muaji prill i këtij viti, do të zgjerojë mundësinë e bizneseve tona për eksport dhe rritje të punësimit”, shtoi ai.

Ndërsa, kreu i Seksionit për Bashkëpunim të BE-së për Kosovë, Christof Stock, tha se ky program shënon rritjen e konkurrencës së ndërmarrjeve dhe zëvendësimin e produkteve të importuara.

Përfaqësuesi i BE-së, Christof Stock - Foto: KALLXO.com
Përfaqësuesi i BE-së, Christof Stock – Foto: KALLXO.com

“Jam shumë i kënaqur që shumica e ndërmarrjeve kanë ardhur këtu. Gjithsej kemi pasur 36 ndërmarrje të cilat do t’i prezantojnë produktet e tyre”, tha ai.

Stock shtoi se pas vizitave që i ka bërë vitin e kaluar në këto ndërmarrje ka qenë i impresionuar me punën që kanë bërë këto ndërmarrje.

“Posaçërisht në fshatra ndikimi i këtyre ndërmarrjeve ose i këtij programi është shumë i madh duke e fuqizuar edhe kapacitetin ekonomik të atyre fshatrave apo zonave rurale”, theksoi ai.

Po ashtu, përfaqësuesi i BE-së tregoi se në këtë panair kanë marrë 800 aplikacione dhe se disa prej tyre mund të jenë dëshpëruar që nuk kanë marrë pjesë por sugjeroi që këtë dëshpërim ta marrin si inkurajim për programet e ardhshme që do të bëhen.

“Ky program është tregim suksesi dhe është zhvilluar shumë mirë. Jam krenar që mund të jem dëshmitar i përfundimit të këtij projekti”, tha në fund përfaqësuesi i BE-së.