Sportet e Sportistët Ende pa Kategorizim

Drejtori i Sportit në MKRS, Iber Alaj, dhe kryetari Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, zotohen se kategorizimet e sporteve dhe sportistëve për shpërndarjen e bursave nga Komiteti do të bëhet para fundvitit.

Për momentin Komiteti Olimpik shpërndan bursa për kategorinë e sportistëve elitarë olimpistë dhe të ashtuquajturit shpresa olimpike, sportistë të rinj që marrin një bursë prej 150 euro në muaj.

I ftuar në debatin në emisionin “Jeta në Kosovë”, Alaj tha se ministria  është në proces të kategorizimit të sporteve dhe pritet të përfundojë këtë vit.

“Sa i përket kategorizimit, është në procedurë por i sporteve e jo i sportistëve, por duhen konsultime paraprake dhe përfundon para vitit të ri”, tha Alaj.

Megjithatë në mënyrë që të ofrohen më shumë bursa për sportistë të kategorive të ndryshme duhet të përfundojë edhe procesi i kategorizimit të tyre.

Kryetari i Komitetit Olimpik u zotua se  do të punojnë edhe në kategorizimin e sportistëve.

“Është fakt që nuk ka përfunduar ende kategorizimi i sportistëve dhe gjatë punës që e kemi bërë e kemi parë që mungon edhe ekspertiza e mjaftueshme. Por është duke u vazhduar puna, vonohet por do të përfundojë deri në fund të vitit”, deklaroi Hasani.

Emisioni e plotë ‘Jeta në Kosovë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: