Kastrati: Qytetarët e Kamenicës trajtohen të barabartë etnikisht

Komuna e Kamenicës këtë mandat udhëhiqet nga dy të rinj, të cilët kanë bërë bashkë kauzat e tyre për bashkëjetesë etnike, Qëndron Kastrati dhe Bojan Stamenkoviq.

Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës, ka thënë se meritat kryesore për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kamenicë e kanë qytetarët.

“Ne si qeverisje e re, në këtë aspekt jemi pak më progresiv dhe jemi edhe më shumë të interesuar me shty përpara procese dhe e konsiderojmë që në të ardhmen, për rininë, na takon neve si gjeneratë e re me i marrë disa vendime më të guximshme”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka shtuar se qytetarët duhet të trajtohen të barabartë dhe të vlerësohen sipas punës e përgatitjes profesionale e jo sipas etnisë apo fesë.

Ndërsa për bashkëpunimin me nënkryetarin e Komunës, i cili është serb, Kastrati ka thënë se nuk e konsideron tradhti kombëtare për shkak se i bashkon kauza për një shoqëri me diversitet dhe multikulturalizëm.

“Nuk e kemi pasur ligjërisht obligim të kemi nënkryetar për minoritete sepse janë vetëm 5 për qind, por unë personalisht nuk e njoh shumë gjuhën serbe dhe e kemi konsideruar të rëndësishme të kemi në kuadër të kabinetit një përfaqësues të komunitetit serb që të kemi një gjithëpërfshirje të qytetarëve serb”, ka shtuar ai.

Kastrati ishte pjesëmarrës në serinë e debateve #debatpernime të organizuar në Kamenicë për bashkëjetesën etnike ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe romëve.