Kastrati fton OJQ-të të monitorojnë proceset e punësimeve në Kamenicë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, nga sot ka urdhëruar Zyrën e Personelit që në proceset e rekrutimit të ftojë për monitorim organizatat joqeveritare.

Përmes një publikimi në Facebook, Kastrati ka njoftuar se ka urdhëruar të ftojnë KALLXO.com, Betimi për Drejtësi dhe OJQ-të lokale për të monitoruar këto procese.

Tutje, Kastrati ka thënë se ky veprim është bërë për hir të qytetarëve për transparencë më të madhe dhe llogaridhënie.

“Edhe një hap më shumë drejt punës transparente gjatë qeverisjes sonë

Në bazë të kësaj urdhërese, Zyra e Personelit obligohet që të ftojë OJQ-të, Kallxo.com, Betimi për Drejtësi etj, që të monitorojnë proceset e rekrutimit në komunën tonë.

Ne po angazhohemi maksimalisht që ta kthejmë besimin e humbur për shumë vite të qytetarëve në procedurat e drejta të punësimit dhe përzgjedhjet meritore.

Pos kësaj, shumë shpejt procesin e monitorimit do ta praktikojmë edhe në prokurim publik”, ka shkruar Kastrati.