"Kapiten Dragani" në gjyq

‘Kapiten Dragani’: Mbrojta Jugosllavinë!

Ish-komandanti i paraushtarakëve serbë, Dragan Vasiljkoviq, i njohur si “Kapiten Dragani”, pretendoi pafajësi ndaj akuzave për krime lufte në gjyqin e tij në Kroaci, ndërsa tha se po mbronte atdheun e tij, Jugosllavinë.

Dragan Vasiljkoviq doli para gjyqit të qytetit bregdetar të Splitit të martën ku u vetëshpall i pafajshëm dhe mohoi të ketë kryer krime kundër ushtarëve të burgosur, policëve apo civilëve kroatë.

“Nuk jam një agresor apo kriminel lufte. Jam një mbrojtës i atdheut tim Jugosllavi, të cilin e pëlqeja shumë. Ne ishim të gjithë jugosllavë. Ky det [deti Adriatik] të cilin ju e quani tuajin, ishte deti im,” tha Vasiljkoviç në gjykatë, sipas raportimeve të medias kroate.

“Nuk kreva asnjë krim lufte, një krim është kryer ndaj meje në dhjetë vjetët e fundit,” tha Vasiljkoviq, duke iu referuar viteve që ai kaloi në paraburgim, ndërsa përpiqej të gjente një mekanizëm ligjor për të shmangur ekstradimin nga Australia në Kroaci.

Ai bëri një ankesë në Komitetin e të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së javën e shkuar, duke pretenduar se paraburgimi i tij i gjatë dhe ekstradimi ishin të paligjshëm.

Vasiljkoviq, i cili njihet gjerësisht si “Kapiten Dragan” akuzohet për torturim, keqtrajtim dhe vrasje të ushtarëve dhe policëve të burgosur kroatë në qershor dhe korrik 1991 në kalanë në Knin dhe në shkurt 1993 në Bruska.

Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në planifikimin e një sulmi në qytetin Glina dhe fshatrat përreth në korrik 1991, kur u vranë civilë dhe pronat u plaçkitën dhe shkatërruan.

Ai akuzohet për krime të kryera ndërsa ishte komandant i Njësisë Serbe të Operacioneve Speciale dërguar për të ndihmuar paraushtarakët serbë në Kroaci gjatë rebelimit të tyre të armatosur nga viti 1991 në 1995.

Sipas aktakuzës së ngritur në janar, ai ishte komandant i qendrës së trajnimit për një njësi speciale paraushtarake të quajtur “Alfa”.

Por Vasiljkoviq tha se të burgosurit kroatë që ishin liruar si pjesë e shkëmbimeve të të burgosurve gjatë luftës e kishin vlerësuar trajtimin e tyre në paraburgim.

“Jam shumë krenar për shërbimin tim në luftë. Të burgosurit, pasi u ekstraduan, kishin vetëm fjalë të mira [për trajtimin] dhe tani 25 vjet më pas ata dëshmojnë ndryshe,” tha ai.

Vasiljkoviq këmbënguli se nuk kishte prova kundër tij, duke pretenduar se të gjithë 55 dëshmitarët e prokurorisë ishin “dëshmi false”.

Ai kritikoi gjithashtu investigimin e tij duke pyetur përse autoritetet kroate kishin pritur 10 vjet për ta paditur, ndërsa ai nuk ishte një oficer anonim por një figurë e mirënjohur.

“Aktakuza ishte aq qesharake, e kotë dhe e ligë, saqë nuk duhej të ishte ngritur kurrë,” shtoi ai.

Kroacia lëshoi së pari një urdhër-arresti për të në vitin 2004. Pastaj në vitin 2006 vendi bëri një kërkesë për ekstradimin e tij nga Australia ku ai jetonte nën emrin Daniel Snedden dhe punonte si instruktor golfi.

Përveç 43 ditëve kur u arratis Vasiljkoviq ka qëndruar në paraburgim për të gjithë periudhën deri në korrik 2015, kur ai u deportua në Kroaci.

Prej asaj periudhe ai ishte në paraburgim në Kroaci, edhe pse u transferua në një spital në muajin gusht për t’iu nënshtruar një operacioni për një sëmundje në zemër.

Një nga avokatët e tij, Goran Cvetiq, i cili nuk ishte në gjykatë, i tha BIRN-it të hënën se sipas tij, aktakuza ishte ndërtuar “mbi baza të paqëndrueshme”, duke argumentuar se identitetet e dy ushtarëve kroatë që besohet të kenë vdekur si pasojë e sulmeve në Bruska janë të panjohur.

“Besoj se autoritetet kroate kanë emrat e të zhdukurve në aksion dhe të dhënat e personave të zhdukur me emra. Këta njerëz duhet të kenë familje [që i kërkojnë]. Mesa duket jo,” tha Cvetiq.

Gjykimi do të vazhdojë më 18 tetor.