Prishtinë - Punimet në rrugën 'Eqrem Çabej' - Nëntor 2018 - FOTO KALLXO

Kaosi në rrugën 'Eqrem Çabej', zvarriten punimet

Komuna e Prishtinës ka disa javë që ka nisur punimet në rrugën ‘Eqrem Çabej” në kryeqytet.

Mirëpo, zvarritja e këtyre punimeve po krijon vështirësi për qarkulluesit e rregullt që frekuentojnë këto rrugë të Prishtinës.

Disa qytetarë para kamerës së KALLXO.com janë shprehur të pakënaqur me dinamiken e punimeve që sipas tyre, koha e fillimeve për rregullimin e tyre nuk është e duhura.

“Rrugët siç po i shihni edhe vetë, zakonisht çdo herë ja nisin në këtë kohë për çfarë arsye se dimë, po na pengojnë normal, komunikacioni po na vështirësohet, po presim në kolonë”, shtoi qytetari.

Sipas tij, punimet po u sjellin probleme edhe sa i përket çështjes ekonomike.

“Veturat normal që dëmtohen, së pari dëmtohet gjepi se duhet me lanë ndezë me punu, po dëmtohen gomat”, shtoi ai.

Një qytetar tjetër për KALLXO.com është shprehur se punimet është dashur të kryhen gjatë vikendit.

“Është dashtë si projekt me herët me filluar me e shfrytëzu vikendin për punime, kur ka më pak qarkullim që me mund me punu më lirshëm, pengesa ka në komunikacion, tash gjendjen po e shihni edhe vetë, por po mendoj që është një projekt i vonuar”, tha ai.

Për KALLXO.com një qytetar tjetër njëherësh edhe ambientalist, tha se punimet nuk është dashur të fillojnë në muajt kur moti përkeqësohet.

“Është bërë normale, punimet po fillojnë në shtator ose në tetor kur mund të bie bore dhe shi dhe ndërpret dhe gjendet arsyetimi se vërtetë nuk kanë mundur të kryhet projekti”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe asamblistë të komunës së Prishtinës.

Asamblisti Besnik Mujeci, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka potencuar se pavarësisht nevojës për rregullim të rrugës, sipas tij punimet duhen të kryhen gjatë natës kur ka qarkullim më të vogël.

“Këto punë zakonisht kryhen në fillim të sezonit pranveror, por do rrugë që janë jashtëzakonisht të prishura dhe është e pashmangshme intervenimi. Koha njëherë është e mirë, nuk ka ndonjë problem kurdo që shtrohen mirë është”, ka thënë Mujeci për KALLXO.com

Ndërsa, asamblisti Haki Dragusha nga radhët e LDK-së për KALLXO.com është shprehur i pakënaqur me punën e Komunës në këtë aspekt.

“Po shihet që krejt Prishtina është e bllokuar nuk po ka asnjë përparim kështu që çdo punët po zvarritet, kualiteti i punëve nuk është i mirë, edhe në Kuvendin Komunal kemi diskutuar për këtë temë dhe të gjithë janë të pakënaqur edhe qeveria komunale edhe ne si këshilltar”, tha Dragusha.

Drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Gëzim Mehmeti ka thënë Për KALLXO.com se nesër (3 tetor) do të fillojnë me asfaltimin e rrugës, që sipas tij do të zgjasin deri të dielën.

“Sot kemi filluar me asfaltimin e pjesës ku do të jenë të shenjëzuar parkingjet. Nesër fillohet me asfaltimin e rrugës, punimet do te zgjasin deri të dielën”, tha ai.