Kandidati i PDK-së Dënohet për Falsifikim Parash

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për asamble të Komunës së Vitisë në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, Besim Rexhepi është njëri nga tre të dënuarit e sotëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën e falsifikimit të parave.

Besim Rexhepi dhe dy shtetasit e Shqipërisë, Viola Doda dhe Artur Qiku akuzoheshin se më 7 janar të këtij viti në magjistralen  Prishtinë-Gjilan në fshatin Kishnicë gjatë një kontrolli rutinor nga Policia e Kosovës e Kosovës ishin ndaluar dhe u ishin gjetur para të falsifikuara.

Sipas aktakuzës, nga bastisja e të pandehurve ishin gjetur 5400 euro të cilat pas ekspertizës kanë rezultuar si falsifikim i plotë.

Për këtë aktakuzë, Gjykata Themelore e Prishtinës pas marrëveshjes së arritur për pranimin e fajësisë në mes të mbrojtes, të akuzuarve dhe prokurorit të rastit Armend Hamiti, u ka shqiptuar nga 6 muaj burg secilit prej të akuzuarve, ndërsa me pajtimin e tyre u është dhënë mundësia që dënimi me burg tu zëvendësohet me gjobë dhe kjo është pranuar nga të akuzuarit.

Të tre të akuzuarit në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë pranuar fajësinë, kanë shprehur keqardhjen dhe kanë premtuar se nuk do t’i përsërisin më ndonjë vepër penale.

KALLXO.com javë më parë kishte raportuar lidhur me dyshimet për falsifikim të parave lidhur me kandidatin e PDK-së për asamble të Vitisë ndërsa detajet mund t’i gjeni në këtë link.