Kandidati i AAK-së për asamblist punësohet inspektor në ATK

Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017 është në mesin e 20 personave të punësuar në ATK.

I pyetur nga KALLXO.com nëse për zgjedhjen e tij për inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës ka pasur ndikim politika, pasi që partia të cilës i përket ai është në pushtet në nivelin qendror, Ademi e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai thotë se është përzgjedhur për shkak se është i përgatitur dhe ka përvojën e nevojshme.

“Unë jam i përzgjedhur aty. S’ka pasë kurrfarë ndikimi se jam i përgatitur, edhe kam përvojën e punës. Por nuk kisha preferu me folë ma shumë në telefon”, tha Veton Ademi.

KALLXO.com, sot gjatë ditës publikoi listën e kandidatëve që janë zgjedhur inspektorë në ATK.

Veton Ademi është renditur i 14-ti në listën e publikuar të ATK-së.

https://kallxo.com/keta-jane-inspektoret-e-punesuar-ne-atk-ne-konkursin-e-fundit/

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.

Në të kanë aplikuar mbi 500 kandidatë dhe vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos të lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.