Foto: Atdhe Mulla

Kandidatët që e Thyen Heshtjen Zgjedhore

Monitoruesit e BIRN dhe Internews Kosova gjatë të shtunës dhe sot kanë evidentuar disa kandidatë për asambletë komunale që kanë thyer heshtjen zgjedhore.

Njëri prej tyre është kandidati për Kuvend Komunal të Fushë-Kosovës, nga subjekti politik LDK, Ali Zogjani, i cili në ditën e heshtjes zgjedhore ka bërë fushatë duke shpërndarë foto në profilin e tij në “Facebookun” në ora 15:23, në të cilën bën thirrje për ta votuar si kandidat për Kuvend Komunal. “VOTO LDK 47, Ali Zogjani 20” shkruan në mbishkrimin e tij.

Heshtjen e ka thyer edhe kandidati për Kuvend Komunal të Ferizajt nga AKR, Vesel Ramadani. Dje ai ka bërë fushatë duke shpërndarë foto në “Facebook”-un e tij, në të cilën bën thirrje për ta votuar si kandidat për Kuvend Komunal. “Voto për një gjeneratë të re, voto që të kem më shumë zë për rininë në kuvendin komunal të qytetit në Ferizaj. Voto 34- 16” është postimi në profilin e tij në “Facebook”.

BIRN dhe Internews Kosova konsiderojnë se veprimi i tillë në ditën e heshtjes zgjedhore bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Edhe kandidati për Kuvend Komunal të Ferizajt, nga AAK, Arbër Ibrahimi, ditën e heshtjes zgjedhore ka bërë fushatë duke shpërndarë foto në “Facebook”-un e tij, në të cilën bën thirrje për ta votuar si kandidat për Kuvend Komunal, ku ka shfaqur një kartelë me foton e tij dhe me thirrjen për të votuar Arbër Ibrahimin me numër 37 dhe me mbishkrimin: “Të dësgjohet zëri juaj”.

Edhe një kandidat tjetër për Kuvend Komunal të Ferizajt, por nga LDK, Burim Ugzmajli, ditën e heshtjes zgjedhore ka bërë fushatë duke shpërndarë foto në profilin e tij në “Facebook” në të cilën bën thirrje për ta votuar.

Heshtjen e ka thyer edhe kandidati për Kuvend Komunal të Klinës, nga subjekti politik AKR, Imer Pantina. Në profilin e tij në “Facebook” ai ka shpërndarë sot në “Facebook” një foto ku bën thirrje për ta votuar.

Po ashtu, sot 10-15 metra larg qendrës së votimit në shkollën fillore “Vëllezërit Aksiq” në Lipjan janë të vendosur posterë të kandidatit të AAK-së, Fitim Selimi.

BIRN dhe Internews Kosova konsiderojnë se veprimi i tillë në ditën e zgjedhjeve bie ndesh Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndërsa, në afërsi të qendrës së votimit në shkollën fillore “Vëllezërit Aksiq” në Lipjan, sot janë të vendosur flamuj të LDK-së. Distanca nga qendra e votimit nuk është më shumë se 10-15 metra nga shkolla.

Edhe në këtë rast, BIRN dhe Internews Kosova konsiderojnë se veprimi i tillë në ditën e zgjedhjeve bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.