Kandidatët për Drenas Vlerësojnë Njëri- Tjetrin

Sipas Bedri Nikës së LDK-së, kandidatët janë “të mirë dhe punëtorë”.

“Isa (Xhemajlaj) është njeri i fjalës, është mik i jemi i hershëm. Është shumë i vendosur. Xhaviti (Drenori) është një punëtor i mirë. Fatkeqësi e tij që i ka ndërru partitë e s’ka ardhë në LDK. Ndërsa (Vehbi) Berisha është shumë njeri serioz dhe e respektoj”, tha Nika.

Sipas Isa Xhemajlajt të NISMA-s, të gjithë kanë vlerat e tyre.

“Sigurisht edhe këta kanë vlerat e veta dhe të mira. Nika është djalë i mirë, punëtorë e don punën. Për Berishën e njoh vonë, e kam pa që mund t’i kap problemet por edhe zgjidhjet, Drenori është punëtor dhe aktiv, ka gabuar profesionin sepse duhet të ishte një prokuror shumë i mirë”, tha Xhemajlaj.

Edhe sipas Vehbi Berishës së Partisë Fjala kundërkandidatët janë njerëz të mirë e punëtorë.

“Bedriu ka çështjen e afërsisë dhe besimit, tek kandidati Xhemajlaj e vlerësoj shumë, i jam mirënjohës dhe dëgjoj nga ai për luftën e pastër të UÇK-së gjithmonë ëndërroj që po të isha ushtar në UÇK do të isha ushtar i Xhemajlajt.  Drenori është i gatshëm t’i lë anash të gjitha interesat për qytetarët e Drenasit”, tha Berisha.

E Xhavit Drenori kritikoi në mënyrë shakaje dy kandidatët që munguan duke thënë se u duhet nga një abetare pasi që ka respekt për ta.

“Kërkoj nga ekipa që t’i sjellin dy abetare për dy kandidatët që mungojnë (Ramiz Lladrovcin e Elmi Thaçin) sepse kam respekt për ta ndërsa për këta këtu kam respekt dhe të gjithë janë të mirë”, tha kandidati i pavarur Drenori.

Këto deklarata kandidatët i dhanë në debatin për Drenasin të moderuar nga Jeta Xharra me kandidatët për kryetar të komunës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit mbahen më 4 dhjetor.

Në këto zgjedhje kandidojnë: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA),

Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe Xhavit Drenori (kandidat i pavarur).

Në këtë debat munguan dy kandidatë ai i PDK-së Ramiz Lladrovci dhe ai i AKR-së, Elmi Thaçi.

Debatin e plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: