Kanalizimi Mbeti në Gjysmë, Fshatarët Ankohen

Banorët e fshatit Breznicë dhe po presin përfundimin e punimeve për kanalizimin e fshatit i cili ka filluar të ndërtohet para tre vitesh.

Komuna e Obiliqit, në vitin 2013, kishte lidhur kontratë  me vlerë mbi 300 mijë euro për ndërtimin e  vijës së kanalizimit që kalon nga Fshati Breznicë deri në lagjen Kozaricë.

Një banor nga ky fshat ka raportuar në KALLXO.com se ende nuk është kryer kanalizimi deri në lagjen Kozaricë siç ishte e paraparë në kontratë.

Ali Krasniqi, kryetari i fshatit Breznicë,  ka kritikuar komunën e Obiliqit për mospërmbushjen e premtimeve dhe ka vlerësuar se mungesa e kanalizimit po e vështirëson jetesën në këtë fshat.

“Kanalizimi është jetësor për fshatin tonë por gjërat kanë mbetur këtu. Premtime kemi pandërprerë por puna nuk është kryer”, shprehet Krasniqi.

Fatmir Bërbatovci, Drejtor komunal për Planifikim Urban, Kadastër dhe Pronë, ka fajësuar qeverinë qendrore për mos vazhdimin e projektit për shkak se sipas tij ajo kishte bllokuar grantin prej mbi 200 mijë euro të destinuar për këtë projekt.

“Projekti për arsye objektive nuk ka mundur të përfundojë. Arsyeja është se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të parapara për këtë projekt kanë qenë grant qeveritar. Qeveria e ka mbyllur afatin e zotimit të mjeteve më herët se zakonisht andaj projekti nuk ka mundur edhe për vitin 2014”, arsyeton Bërbatovci.

Emin Fazliu, përfaqësues i lagjes Kozaricë, është shprehur optimist se edhe në lagjen e tij do të mbërrijë kanalizimi siç ishte paraparë në projekt në legjislaturën e kaluar të komunës së Obiliqit

“Unë besoj dhe shpresoj dhe të gjitha mundësitë janë që këtë mandat do të përfundojë puna e kanalizimit”, tha Fazliu.

Projekti i ndërtimit të kanalizimit në fshatin Breznicë ka filluar në fund të  mandatit  të kaluar qeverisës të komunës së Obiliqit.

Ndërkaq , drejtori Berbatovci është zotuar se projekti do të përfundojë në vitin 2017.