Kanalizimi i ujërave atmosferike problem për banorët e Kuqicës së Skenderajt

Ujërat e shiut që bien nga pjesa lartë e malit drejt në tokën bujqësore po dëmton të mbjellat dhe po rrezikon shembjen e rrugës.

Kështu pretendon, Fejzullah Smajli, banor i fshatit Kuqicë e Skenderajt, i cili para kamerës së KALLXO.com ka thënë se pusetat e sistemit të kanalizimit të ujërave të shiut që janë të vendosura edhe në arën e tij, nuk janë funksionale e që si rrjedhojë ai thotë se po i sjellin telashe.

“Është pronë private, dhe nuk guxon me lanë gypin me dalë uji në sipërfaqe. Unë i kam leju që me i shti do gypa edhe i kanë shti deri në lumë atje, mirëpo ata nuk i kanë kry punët siç duhet.Tokën ma kanë lanë kështu që tri-katër vite, nuk marrim kurrgjë nga këtu, më është dashur që të mbjelli pemë që nuk janë për këtu hiç, po veç mos me lanë krejt djerrinë. Këtu ose duhet të vinë komunarët që t`i kryejnë ose ka më u shemb edhe ky asfalt”, u shpreh ai.

Përveç kësaj, Smajli thotë se ujërat po ndotin edhe ujin e pijshëm të banorëve që kanë pus në pjesën poshtë rrugës.

“Si të unë si të kojshia që e ka në skaj bunarin edhe nuk mujm me përdorë ata ujë për pije vetëm për vaditje se kur hynë uji në ato bunare ai ujë më nuk pihet”, pretendon Smajli.

Se moskryerja e duhur nga kompania kontraktuese ka rezultuar me rrezikim që rruga të shembet thotë edhe banori tjetër, Abedin Hasani.

“Për këtë rrugë ka ardh komuna, Kadastri edhe e kanë mat, i kanë vendos gypat prej deri në rekë, edhe kanë thanë që në anë të epërme (mbi tokën bujqësore) me i qit me gypa që mos me u derdh uji këtu e me dëmtu rrugën, po nuk kanë ardh ma hiç, se nëse ishin vendos gypat në anën e epërme as rruga nuk kish me u dëmtu edhe u mbet kështu, fati që nuk ka ra shi si vjet se kjo ish këput krejt”, u shpreh Hasani.

Për mos funksionalizimin e sistemit të kanalizimit të ujërave atmosferike, Komuna e Skenderajt fajëson banorët për bllokimin e tyre me mbeturina.

“Kanali ka qenë i ndërtuar si dhe depërtimi për ujërat e shiut. Kur është fjala për vërshime te cilat munden me qenë të pa parashikueshme edhe për ne, ka ndodhur edhe në fshatin Kuqicë, ku sasitë e ujit i kanë tejkaluar mundesitë e përballimit edhe të kanalit, qe ka dalë mbi sipërfaqe të rrugës dhe ka sjellë me veti dhera dhe gurë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Skenderajt.