Foto ilustruese: Pixabay

Kampanjë për mbledhjen e parave për Xhakën e Shaqirin

Menjëherë pas publikimit të vendimit të FIFA-s, sipas të cilit tre lojtarët e kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, janë dënuar me nga 10 mijë franga, në rrjetet sociale kanë nisur angazhime për të mbledhur këtë shumë me qëllim që t’u paguhen dënimet dy futbollistëve me origjinë nga Kosova, sikur edhe 5 mijë franga për lojtarin tjetër, Stephan Lichtsteiner.

Një kampanjë për mbledhjen e mjeteve ka nisur edhe në internet.

Deri më tani, janë mbledhur afro 3.000 dollarë.

Organizatori i mbledhjes së fondeve ka paralajmëruar se nëse Federata Zvicerane e Futbollit nuk i pranon mjetet e mbledhura, atëherë këto mjete do të jepen donacion për bamirësi sipas përzgjedhjes së tyre.

Tre lojtarët e kombëtares zvicerane u dënuan për shkak të festimit me simbolin e shqiponjës dykrenare pas golave dhe fitores ndaj Serbisë.

https://kallxo.com/fifa-denon-xhaken-e-shaqirin-me-nga-10-mije-franga/

Në mesin e atyre që shprehu gatishmërinë për t’ua paguar dënimet Xhakës e Shaqirit ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Dreshaj.

https://kallxo.com/deputeti-i-kosoves-i-gatshem-te-paguaje-denimin-e-xhakes-dhe-shaqirit/

Ai, madje, premtoi se është i gatshëm të paguajë dënimet e këtyre lojtarëve sa herë që ata dënohen për shkak të festimit me simbolin kombëtar shqiptar.

Ndryshe, Federata Serbe e Futbollit, ishte ankuar në FIFA ndaj mënyrës së festimit të golave dhe fitores ndaj Serbisë nga lojtarët Xhaka, Shaqiri e Lichsteiner, të cilët me duar kishin bërë shqiponjën dykrerëshe – simboli kombëtar shqiptar.

Federata Serbe i kishte cilësuar këto veprime si provokim.