Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka - Foto: KALLXO.com

Kamioni me Dosje të Pallatit të Drejtësisë Ndalet në Kufi

KALLXO.com zbulon se një kamion që dyshohej se ishte i ngarkuar përplot me dokumente për Pallatin e Drejtësisë është ndalur në njërën nga pikat kufitare teksa ishte duke dalë nga Kosova.

Siç merr vesh KALLXO.com, autoritetet doganore me të vërejtur këtë kamion dhe materialin që gjendej në të kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, e këta kanë lajmëruar prokurorinë.

Këtë rast e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Imer Beka. Ai tha se se një kamion me targa të Bullgarisë është ndalur në kufi. Sipas prokurorit, kamioni ishte nisur nga Pallati i Drejtësisë.

“Ne jemi njoftuar nga Policia dhe Dogana se një kamion me targa të Bullgarisë është ndalur në kufi dhe ka dokumente të punës të objektit të Pallatit të Drejtësisë. Kamioni si duket është ngarkuar prej Pallatit, aty ku e kanë pasur ata qendrën, dhe pa dijeninë tonë dhe për arsyet që ne nuk i dimë kanë dashur që ai material të dërgohet në Bullgari”, tha Beka.

Kryeprokurori Imer Beka thotë se Policia ende është duke e shqyrtuar këtë rast dhe dyshon se dokumentet që gjenden në kamion kanë të bëjnë me ndërtimin e Pallatit dhe problemet apo defektet e vazhdueshme në të.

“Ne ende nuk kemi informacione të plota sepse Policia është duke e shqyrtuar rastin. Por, si duket, është material i cili ka të bëjë me ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë”, ka thënë Beka.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës tha se për shkak të defekteve të përditshme në Pallatin e Drejtësisë ka dyshime se mund të jetë një përpjekje për të zhdukur prova.

I pyetur nëse e ka parë dikush këtë kamion të mbushej me dokumentacion në Pallatin e Drejtësisë, prokurori Beka thotë se është vërejtur se vazhdimisht zhvillohen punime aty, por nuk është ditur që po bartet diçka e tillë. Policia, sipas tij, po e shqyrton se për çfarë dokumentacioni bëhet fjalë.

Për KALLXO.com, Imer Beka tha se dyshohet se edhe një kamion tjetër është larguar nga Pallati i Drejtësisë, por se Prokuroria nuk ka asgjë konkrete rreth këtyre dyshimeve.

Lidhur me shoferin e kamionit të ndaluar, Beka tha se ai është një taksist bullgar, që është paguar për të bartur atë material.

Kryeprokurori tha se për ndalimin e këtij kamioni janë të njoftuar edhe Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Drejtësisë.

KALLXO.com do të sjellë më shumë hollësi lidhur me këtë rast ditëve në vijim.