Kamerat e Jasharajve zbuluan vrasjen e veteranit të UÇK-së Ilir Zeqiri

Dy të arrestuarve nën dyshimet për vrasjen e Ilir Zeqirit në Skenderaj, Halil Fejza dhe Korab Imeri u është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata e Mitrovicës.

Policia e Kosovës njoftoi dje për arrestimin e dy persona për vrasjen e cila ndodhi gjashtë ditë më parë në Skenderaj.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se deri te zbulimi i të dyshuarve hetusit kanë arritur falë bashkëpunimit të bizneseve që kanë ofruar filmimet nga kamerat e sigurisë dhe nga nga filmimet e kamerave në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Sipas Prokurorisë në filmime janë vërejtur lëvizjet e të dyshurit Halil fejza me veturën BMW X5, lëvizje që kanë quar deri te zbardhja e rastit.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Ilir Zeqirit – 13.04.2019 – FOTO KALLXO

Ilir Zeqiri u gjet i djegur në veturën e tij, ndërsa Prokuroria dyshimet e para i kishte se rasti është cilësuar vrasje.

KALLXO.com mëson se Halil Fejza 31 vjeçar dhe Korab Imeri 19 vjeçar janë dy të dyshuarit e arrestuar nga ana e policisë për vrasjen.

Ende nuk dihet se cili ka qenë roli i tyre në vrasje.

Gjithashtu burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pritet që ndaj të dyshuarve prokurori i rastit të kërkojë masën e paraburgimit.

KALLXO.com raportoi më 8 prill se një person është gjetur i djegur në makinën e tij në afërsi të këtij fshati.

Prokurori i rastit Njiazi Rexha ka sqaruar se pistat e para të dyshimeve janë për vrasje pasi sipas tij afër makinës janë gjetur disa gëzhoja të armës.

“Dyshimet e para janë se është djegur pasi është goditur nga plumbat”, ka thënë prokurori Rexha.

Prokurori Rexha sqaroi se trupi i viktimës ishte djegur në masë të madhe, dhe ishte dërguar për obduksion për të vërtetuar saktë identitetin e tij.

https://kallxo.com/halil-fejza-edhe-korab-imeri-te-dyshuarit-per-vrasjen-e-ilir-zeqirit-ne-skenderaj/

.