Pamje nga takimi ku u diskutua për kreditë për bujqësi - Foto: KALLXO.com

Kamatat e Kredive për Bujqësi, Shumë të Larta

Agjencioni për Financimi në Kosovë (AFK) dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), grup i Bankës Botërore, inauguruan projektin për financimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, që ka për qëllim nxitjen e kreditimit të fermerëve për të mbështetur zhvillimin e sektorit.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencionit, Xhevdet Spahija, theksoi se financimi në sektorin e bujqësisë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, prandaj AFK në bashkëpunim me institucionet tjera financiare do të ofrojë mbështetje financiare për këtë sektor.

“Bujqësia në Kosovë karakterizohet nga fermat e vogla, prodhimtari të ulët dhe mungesë kronike të investimeve. Sektori i bujqësisë në Kosovë mbetet ende i pazhvilluar edhe pse është faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në zvogëlimin e papunësisë, andaj nevojitet strategji dhe zhvillim për eksportimin e produkteve në tregjet ndërkombëtare. Prandaj, AFK-ja do të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë e të qëndrueshëm të financimit të sektorit të bujqësisë”, tha Spahija.

Në raportin e prezantuar nga AFK-ja statistikat e fundit tregojnë se në Kosovë mbi 60 % e popullsisë jetojnë në zona rurale, dhe 53 % e sipërfaqes është tokë bujqësore, përderisa kontributi i bujqësisë në Bruto Produktin Vendor është vetëm 14%, ndërsa produktet e bujqësisë përbëjnë rreth 16% të eksporteve të përgjithshme, gjë që e bën Kosovën importuesin më të madh për kokë banori në Evropë.

Drejtori i departamentit të statistikave nga Ministria e Bujqësisë, Ekrem Gjoka, theksoi se kamatat për sektorin e bujqësisë ende mbeten të larta krahasuar me kamatat e sektorëve të tjerë.

“Nga hulumtimet e ekspertëve të Komisionit Evropian nga vitet e mëhershme është parë qartazi se kamatat në bujqësi janë shumë të pavolitshme. Sa i përket kamatave në bujqësi ato ende mbeten të larta, me normë prej 16%, krahasuar me kategoritë e tjera të kredive, prandaj në Ministrinë e Bujqësisë kemi krijuar departamentin e veçantë për hulumtime dhe zhvillime për t’iu ndihmuar fermerëve, si dhe bashkërisht me USAID-in që nga viti 2013 jemi duke bërë përpjekje për zhvillimin e sektorit për sigurime në bujqësi, i cili pastaj do të ketë efekt direkt në zvogëlimin e rrezikut për sektorin e bujqësisë”, tha Gjoka.

Menaxherja regjionale e programit dhe projektit për financim nga Banka Botërore, Leah Soroka, theksoi se IFC së bashku me AFK-në në vazhdimësi po bëjnë përpjekje të organizojnë trajnime për fermerët se si t’u qasen kredive për ta zhvilluar biznesin bujqësor.

“Ne së bashku me institutin AFK kemi bërë trajnime për të përcaktuar rrjedhën e parasë për të përcaktuar nevojat e kredisë, dhe shpresojmë shumë se do t’i përdorim këto mjete për të rritur ekonominë dhe për të reduktuar koston e kredive për fermerët. Trajnimet tona të radhës do të jenë në terren, në ferma, në mënyrë që fermerët para se t’i qasen kredisë të dinë t’i bëjnë vet llogaritjet sepse kreditë nuk janë vetëm për banka por janë të dedikuara për ta që të rrisin biznesin e tyre bujqësorë”, tha Soroka.

Kallxo.com gjatë muajit tetor ka publikuar statistikat e bujqësisë, ku sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm 37.6 % e territorit të Republikës së Kosovës përdoret për bujqësi.

http://kallxo.com/bujqesia-e-kullosave-livadheve-dhe-dritherave/