Salla e Kuvendit para nisjes së seancës për Deharin | Foto: KALLXO.com

Kalon në Kuvend Rekomandimi i PDK-së për Deharin

Në Kuvendin e Kosovës u miratua rekomandimi i PDK-së, sipas të cilit nëse familja Dehari kërkon ekspertizë të jashtme për vdekjen e Astrit Deharit, shpenzimet për të do t’i heqë qeveria.

Këtë rekomandim e paraqiti në Kuvend shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti, duke kërkuar që “rasti i vdekjes se Astrit Deharit në burgun e Prizrenit të zbardhet në mënyrë transparente që të mos ketë mundësi manipulimi”.

Në rekomandim thuhet se “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA-së dhe qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.

Ky rekomandim kaloi me votat për të 49 deputetëve, derisa 13 ishin kundër.

Në votim u nxor edhe projekt-rezoluta e Lëvizjes “Vetëvendosje” që ishte kërkesë e shoqërisë civile e ardhur sot në Kuvend.

Kjo kërkesë u shkoi sot  deputetëve, pasi peticioni i mbi 23 mijë qytetarëve nuk u mor parasysh në seancën e sotme të jashtëzakonshme ku u diskutua për vdekjen e Deharit.

Peticioni dhe rrjedhimisht edhe projekt-rezoluta e “Vetëvendosjes” kërkonte dorëheqjen e ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe hetim të pavarur për vdekjen e Deharit.

Projekt-rezoluta e “Vetëvendosjes” nuk kaloi në Kuvend, pasi u votua nga vetëm 20 deputetë, derisa 17 ishin kundër e 25 abstenuan.

Pas seancës për Deharin, Kuvendi e vazhdoi mbledhjen e rregullt gjatë së cilës u votua me 59 vota për e 6 abstenime Projektligji për Akreditim.