Gjorgji Lazarevski. Foto: Kallxo.com

Kallxuesi i ‘Bombave’ të Zaevit kthehet në vendin e punës

Gjorgji Lazarevski, i njohur në shtetin e tij në Maqedoni si personi që i tregoi botës përgjimet e ish – kryeministrit Nikola Gruevski në aferën “Bombat”, është kthyer në vendin e punës pas publikimit të këtyre përgjimeve.

Lazarevski ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë që nga viti 1987 në Zyrën për Siguri dhe Inteligjencë Shtetërore brenda Departamentit të teknikës Operative.

Bashkë me Lazarevskin, në punë është kthyer edhe kolegu i tij Zvonko Kostovski.

Kthimin e tij në vendin e punës pas gati katër viteve e bëri të ditur vetë Zëvendës Kryeministri i qeverisë së Maqedonisë, njëherit ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Gjorgji Lazarevski dhe Zvonko Kostovski nga sot janë kthyer në vendet e tyre të punës në MPB. Për profesionistë gjithmonë ka vend në MPB”, shkroi Spasovski në një postim Twitter të cilit ia ka bashkëngjitur një fotografi të takimit me Lazarevskin e Kostovskin.

Publikimi i ‘Bombave’ nga ana e ish-liderit të opozitës, tani kryeministër i Maqedonisë, Zoran Zaev, kishte shkaktuar tronditje ndër strukturat shtetërore të Maqedonisë.

 

Lazarevski ka folur për këtë rast duke thënë se kallxuesit në Maqedoni kanë qenë të frikësuar, janë rrezikuar me humbje të vendit të punës ndërsa përfundimi i rastit të tij tani mund të shërbejë si motivim për të tjerët që t’i raportojnë rastet e keqpërdorimit të zyrave dhe funksioneve shtetërore.

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, vetë Lazarevski kishte shpjeguar se si ndodhi përgjimi i ish-kryeministrit Gruevski, në kohët kur ai kishte vënë nën kontroll të gjitha institucionet e sigurisë në këtë shtet dhe konsiderohej si “njeri i fuqishëm”.

“Tre njerëz, janë bërë bashkë dhe kanë bërë atë çfarë kanë bërë, kështu që askush nuk ka qenë duke na ndihmuar. Nuk kemi pasur asnjë ombrellë dhe kemi rrezikuar shumë, kemi vuajtur shumë dhe jemi të kënaqur me mënyrën se si kjo përfundoi. Unë shpresoj që drejtësia do të shfaqet dhe tani kemi një situatë më të mirë në Maqedoni dhe qytetarët janë më të vetëdijshëm se si politikanët mund të keqpërdorin pushtetin e tyre”, tha ai për “Jeta në Kosovë” pak muaj pasi Gruevski kishte rënë nga pushteti.