Kallxo Forca

Realizimi i ushtrimit fushor “Shqiponja 6” ka filluar më 4 maj të vitit 2018, pas plot 15 muaj përgatitje. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Që nga muaji shkurt i vitit 2017, pas tetë takimeve ndërkombëtare me shtetet aleate dhe me komandat e tyre ushtarake, është vlerësuar se FSK është e gatshme për të zhvilluar ushtrimin fushor “Shqiponja 6”.

Ky ushtrim ka qenë vazhdimësi e operacioneve të viteve të kaluara dhe ka për qëllim adresimin dhe avancimin e mëtejmë të nevojave teknike dhe taktike të FSK-së të cilat janë identifikuar më herët.

KALLXO.com ka realizuar një seri prej gjashtë emisioneve dedikuar FSK-së, ku janë shfaqur pamje ekskluzive të ushtrimit më të madh të realizuar ndonjëherë nga FSK-ja.

Dita D

Në ditën e parë të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, më 4 maj 2018 të gjitha njësitë janë vendosur në kampin fushor në Koliq. Po ashtu janë vendosur tendat për akomodim të secilit njësit për shtabin e komandës fushore, për qendrën operative, për komunikim, spitali fushor, vendosja e njësive përkrahëse të Policisë, të Kryqit të Kuq, depot e armatimeve, hapësira higjienike dhe kuzhina.

Para se të fillonin ngrënien e një vakti, u tregua se si verifikohet pastërtia hapësirës së kuzhinës dhe vendit të ngrënies në përgjithësi, duke filluar nga temperatura e ushqimit, datat e skadimit të pijeve dhe nëse paketimet janë të dëmtuara.

Në ditën e parë të këtij ushtrimi gjithashtu disa nga eprorët e ushtrive mysafire që ishin pjesëmarrëse në ushtrim kanë dhënë mendimet e tyre për FSK-në.

Dita D+1

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, FSK ka treguar aftësitë në situatat e simuluara në liqenin e Batllavës. Skenari ishte që si rezultat i reshjeve të vazhdueshme niveli i ujit në liqenin e Batllavës ishte rritur dhe ishte afër kalimit të digës.

Në mënyrë që mos të kishte dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kishin në skenar që të hapnin kanalin dhe të lejonin sasi të mëdha të ujit të dilte në lum. Si rrjedhojë e kësaj disa lagje të fshatrave afër liqenit ishin të rrezikuara nga përmbytja dhe banorë të shumtë duhet të zhvendoseshin.

Në xhirimet ekskluzive të KALLXO Forca shihet se si popullata e rrezikuar e cila sipas skenarit të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’ përbëhet nga pjesëtarët rezervë të FSK-së, po refuzonin të evakuoheshin pa u bashkuar me pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre.

Në të njëjtin episod që u transmetua nga KALLXO Forca, njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së vazhduan operacionin e improvizuar për gjetjen e 11 personave të zhdukur. Dy nga personat e zhdukur sipas skenarit të ushtrimit janë fëmijë. Një vajzë dhe një djalë të moshave 14 dhe 16 vjeç.

Dita D+2 

Gjatë ditës së tretë të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, pjesëtarët e FSK-së së bashku me ushtarët turq u ballafaquan me një barrikadë në rrugë dhe pasi e larguan barrikadën situata e qetë ndryshoi.

Pjesë e skenarit për ditën e tretë ishte që kolona me njësitë e FSK-së dhe ushtritë aleate, pa kurrfarë paralajmërimi ta gjenin vetën në një pritë me breshëri plumbash nga disa formacione të improvizuara terroriste.

Ushtrimi ku FSK dëshmonte aftësitë ujore, po ashtu ishte pjesë e ditës së tretë. Njësitë e FSK-së duhet të evakuonin një familje që ka mbetur e izoluar për katër ditë në thellësi të liqenit të Badovcit.

Dita e tretë nuk do të përfundonte pa realizuar FSK edhe ushtrimin ku do të tregonin aftësitë e tyre nëse do të kishte rrezik të helmimit të liqenit të Batllavës.

E gjithë kjo si pasojë e rrjedhjes së disa fuqive të vjetra brenda një shtëpie të vjetër në afërsi të shkollës së fshatit Orllan dhe dyshohet se këto lëngje të rrezikshme mund të kalojnë në ujë.

Dita D+3 

Në ditën e katërt të ushtrimit fushor më të madh të realizuar ndonjëherë nga FSK, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha vizitoi FSK-në dhe ushtritë e shtatë shteteve aleate, në kampin fushor në Koliq.

Në skenarin për ditën e katërt të emisionin KALLXO Forca ishte edhe improvizimi i situatës derisa FSK neutralizon minat anti-tank që ishin vendosur nga disa persona të dyshuar me qëllimin për të shpërthyer pendën e liqenit të Badovcit.

Si vazhdim i simulimit të kësaj situate, dislokohet ekipi me njësi të kombinuara, njësiti për reagim të shpejtë, kërkim-shpëtimi në ujë dhe njësiti i specializuar për mjete shpërthyese EOD.

Në këtë ditë ushtrimi për neutralizimin e minave vazhdoi edhe në fshatin Mramor, ku njësitë e FSK-së arritën të neutralizonin katër mjete të rrezikshme.

FSK po ashtu dëshmoi aftësitë në një situatë të simuluar për zhdukjen e një fëmije në mes të liqenit të Batllavës.

Sipas skenarit të ushtrimit, Policia në fshatin Orllan kishte raportuar se një fëmijë i moshës 5 vjeçare kishte hyrë në ujë në liqen dhe dyshohej se kishte vdekur.

Dita D+4

Në episodin e pestë të emisionit dedikuar FSK-së, njësitë e saj në bashkëpunim me ushtritë e shteteve aleate dhe KFOS-it kanë dëshmuar aftësitë e reagimit në rast se do të ketë shpërthim në termocentralin “Kosova A” në Obiliq.

Kjo situatë e simuluar është e bazuar në shpërthimin e viti 2014 që ka ndodhur në KEK. Duke e ditur historikun e shpërthimit nga viti 2014, FSK e dinte rrezikun e mundshëm të aktivizimit të materieve toksike dhe se kjo do të rriste shkallën e rrezikut dhe shkatërrimit edhe më shumë.

Në ditën e pestë të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, FSK ka dëshmuar aftësitë reaguese ndaj pjesëtarëve të një grupi të simuluar kriminal, të quajtur  “Pandora”, të cilët sipas skenarit të ushtrimit janë lokalizuar në një ish-fabrikë në Mitrovicë. Personat që e kanë luajtur rolin e anëtarëve të grupit kriminal janë pjesëtarë rezervë të FSK-së.

Sipas ushtrimit ishte raportuar se në këtë ish-fabrikë gjendeshin 7 pjesëtarë të grupit ‘Pandora’. FSK planifikonte që të eliminonte udhëheqësin e grupit në mënyrë që ky grup të kishte vështirësi që të riorganizohej përsëri.

Gjatë këtij operacioni kompleks janë angazhuar togu për Reagim të Shpejtë, Njësia Speciale Operative e FSK-së, Policia Ushtarake e ShBA-së, Policia e Kosovës dhe paramedikët.

Dita D+5

Në ditën e gjashtë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 9 maj 2018, pjesëtarët e FSK-së së bashku me ushtritë aleate kanë dëshmuar aftësitë për neutralizimin e 40 pjesëtarëve të grupit të improvizuar kriminal ‘Pandora’ në fshatin Kukaj.

Në ditën e fundit të këtij ushtrimi, FSK duhet të dëshmonin po ashtu aftësitë reaguese nëse një person VIP sulmohej gjatë shoqërimit nga njësitë e saj.

Dhe në fund pati edhe monedha simbolike për ushtarët dhe eprorët që ishin më të suksesshmit gjatë ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.