KALLXO 360 Tradicionalja ‘Pushton’ Sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Kalimtarët patën rastin që të preknin, të shihnin dhe të blinin mallrat e traditës shqiptare të ekspozuara nga shitësit dhe punuesit e tyre.

Nazmi Avdyli në këtë panair i ra fyellit që nipi e mbesa që i kishte me vete të mos i harrojnë traditat.

“Gjithë ky panair është i mirëseardhur për me i pa të rinjtë dhe fëmijët traditën tonë, veshjen tonë kombëtare, folklorin burimor dhe mos me i harru,” tha Avdyli për KALLXO.com

Në mesin e shitësve të cilët e prezantonin punën e tyre ishte edhe Ramiz Hajdari që kishte ardhur nga Ulqini në Prishtinë.

“Qytetarët e Prishtinës e njohin shumë mirë artizanatin, prandaj edhe ne vijmë këtu,” tha Hajdari.

Hajdari që është edhe kryetar i shoqatës “Globus Art” tregoi se ka mbi 20 vjet që bëhet pjesë e panaireve në vende të ndryshme, duke prezantuar traditën shqiptare dhe punën e 145 punëtorëve.

“Kemi qenë edhe në qytetin e Kralevës para dy jave, ka qenë ajo që unë kam dashur të provoj se si do të na presin në zemër të Serbisë dhe ka qenë shumë e çuditshme,” tha Hajdari për KALLXO.com

Disa hapa me tutje gjendeshin edhe punëdoret e shoqatës “Dera e Hapur” të cilat Mihrije Elshani ua tregonte të interesuarve.

“Punojmë me makinë, punëdore, çorape, jelekë, xhemperë me rruaza, qëndisim gjithçka kurse me vek kam punuar prej kur kam qenë dymbëdhjetë vjet,” tregoi Elshani.

Zyrtari i lartë nga Ministria e Diasporës Kushtrim Sheremeti, tha se ky panair e ka qëllim që të afrojë më shumë fëmijët e mërgimtarëve me traditat shqiptare.

“Një prej qëllimeve kryesore të këtij aktiviteti është ruajtja e identitetit, njoftimi i pjesëtarëve të diasporës me identitetin e vet, me kulturën e vet dhe në fund të ditës duhet t’i bëjmë të ndihen pjesë e tyre, sepse ata edhe realisht janë pjesë e tyre,” tha ai.

Panairi i cili ka mbledhur shitës nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia do të qëndrojë i hapur për katër ditë radhazi.