KALLXO 360: Insuficienca Kardiake, Vrasësi më i Shpeshtë i Njerëzve

Pamjaftueshmëria e zemrës është një prej vrasësve kryesor të njerëzve sot, u tha sot në një aktivitet që shënon fillimin e javës evropiane të ndërgjegjësimit të popullatës rreth kësaj sëmundjeje, që organizohet nga Shoqata e Kardiologëve të Kosovës së bashku me Klinikën e Kardiologjisë dhe në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Pamjaftueshmëria e zemrës është një nga sëmundjet më të shpeshta. Është pothuajse vrasësi më i shpeshtë i njerëzve”, tha drejtori i Shoqatës së Kardiologëve, Gani Bajraktari.

Sipas dr. Bajraktarit, parandalimi i insuficiencës kardiake (siç njihet me terma shkencorë kjo sëmundje) është në duart e qytetarëve, ndonëse e pranon se informimi për të te ne, por edhe në gjithë botën, është shumë i vogël.

Statistikat tregojnë, tha Bajraktari, se kjo sëmundje ka shënuar rritje me përmirësimin e kushteve jetësore, me mosushqyerjen adekuate.

Mirëpo, për shkak të mjekimeve adekuate është rritur edhe jetëgjatësia me këtë sëmundje.

“Mjekimi që sot i bëhet kësaj sëmundje ka rritur ndjeshëm jetëgjatësinë. Në fundshekullin e kaluar, jetëgjatësia ka qenë 3 deri në 5 vjet me sëmundje, kurse sot jetëgjatësia mesatare është mbi 10 vjet. Madje, kemi pacientë të cilët po i trajtojmë më dekada me sëmundje të zemrës. Kjo arrihet në qoftë se ata u përmbahen rregullave dhe mjekimit adekuat”, theksoi Bajraktari.

Gani Bajraktari ka treguar po ashtu se në SHBA 1 në 5 persona janë të sëmurë ose pritet të sëmuren nga pamjaftueshmëria e zemrës. “Pra, është një pandemi shqetësuese në të gjitha vendet e zhvilluara”, shtoi ai.

Sa i përket trajtimit të sëmundjeve të zemrës, Bajraktari tha se Klinika e Kardiologjisë e Kosovës nuk është larg nga klinikat evropiane.

Java për informimin e popullatës për sëmundjet e zemrës filloi me një aktivitet në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, ku qytetarët plotësojnë anketa përmes të cilave do të kuptohet se sa janë të informuar ata rreth simptomave te sëmundjeve të zemrës dhe si bëhet shërimi i këtyre sëmundjeve.