KALLXO 360: Dhimbja për Refugjatët Rikthehet në Prishtinë

“Ne Qëndrojmë Bashkë me Refugjatët” ka qenë slogani i aktivitetit të organizuar nga UNHCR-ja në Kosovë gjatë të cilit janë shfaqur katër filma.

Në kuadër të këtij organizmi qytetarët kanë pasur mundësinë që të shikojnë filmin “Retë mbi Sidrën” me syze të realitetit virtual.

Në kinemanë e improvizuar janë shfaqur edhe filmat “Përhapja e Krizës Siriane”, “Udhëtimi i Gjatë” dhe “Hoteli Lundrues Evropa”.

Shefi i Misionit të Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Narasimha Rau, tha se hapi i parë që duhet të bëjmë është të bindim refugjatët dhe publikun se ata janë si ne.

“Refugjatët janë si çdonjëri nga ne, janë si unë dhe ti, janë njerëz të zakonshëm që kërkojnë një jetë më të mirë,” tha ai.

Kurse disa hapa më tutje kinemasë ku shfaqeshin filmat-përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës adhurues të pikturës vizatonin motive që lidheshin me refugjatët.

Me sloganin “Shqiptarët nuk do të Duhej të Jenë Refugjatë” Departamenti për Diasporë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që të ndalohet largimi nga Kosova.

Udhëheqësi i këtij departamenti Jahja Lluka, tha se Kosova nuk është një vend nga i cili njerëzit duhet të largohen.

“Askush më mirë se shqiptarët nuk e di se çfarë do të thotë të ikësh nga atdheu, nga dhuna, nga gjenocidi i hapur, të cilin e ka nënshtruar ushtria paramilitare serbe,” tha ai.

Përveç pikturimit dhe filmave, para qytetarëve këndoi edhe Luan Durmishi, përformoi një grup  i të rinjve  si dhe u dha një monolog nga Kushtrim Brahimaj për shpërnguljen e shqiptarëve.

Për nder të Ditës së Refugjatëve më 19 qershor në Kinemanë “ABC” u dha edhe premiera e filmit “Home”, të ardhurat nga biletat e të cilit do t’u shkojnë si ndihmë refugjatëve.

https://kallxo.com/jeta-ne-kepucet-e-refugjatit/