KALLXO 360: Apeli Shqyrton Ankesat e ish-Ministrave të Kulturës

Gjykata e Apelit ka mbajtur seancën gjyqësore pas ankesave të prokurorit dhe avokatëve mbrojtës ndaj aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë për dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqia e Valton Beqiri dhe dy producentët filmikë, Armond Morina e Nehat Fejza.

Në këtë seancë mungoi prokurori i Apelit dhe producenti Fejza, i cili nga shkalla e parë është liruar nga aktakuza. Po ashtu, i pranishëm nuk ishte as avokati i Astrit Haraqisë, Teki Bokshi.

Në fillim të seancës gjyqtari raportues Fillim Skoro tha se prokurori është ankuar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë për vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.

Sipas gjykatësit Skoro ankesë ndaj aktgjykimit kanë paraqitur edhe avokatët mbrojtës.

http://kallxo.com/prokuroria-ankese-per-rastin-e-ish-ministrave-te-kultures/

Avokati Destan Rukiqi deklaroi para gjyqtarëve të Apelit se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përpiluar në frymën e standardeve të parashikuara me dispozitat ligjore, si dhe se gjykata e shkallës së parë ka qenë e ndikuar nga BE-ja dhe vendorët për luftimin e korrupsionit.

Ndërsa avokati Arianit Koci mbrojtës i të akuzuarit Armond Morina tha se aktgjykimi i shkallës së parë e ka goditur moralisht dhe profesionalisht dhe me këtë e ka humbur besimin në sistemin e drejtësisë ndërsa pret që gjykata e Apelit t’ia kthejë këtë besim. Koci mbeti në tërësi pranë ankesës së bërë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Astrit Haraqia, Valton Beqiri dhe Armond Morina i mbështetën ankesat e avokatëve të tyre kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

Kryetarja e kolegjit të Apelit, Mejreme Memaj, tha se vendimin e Gjykatës së Apelit palët do ta marrin përmes Gjykatës Themelore.

Më 1 dhjetor 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin me të cilin Astrit Haraqia e Valton Beqiri ishin dënuar me nga 10 muaj burg me kusht.

Producenti filmik Armond Morina u dënua me gjashtë muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm.

Haraqia e Beqiri akuzoheshin për shpërdorim detyre, ndërsa Morina e Fejza për mashtrim në detyrë.

http://kallxo.com/denime-me-kusht-per-ish-ministrat-e-kultures/

Haraqia që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220,000 eurosh.

Ky ministër, më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350,000 eurosh.

Kontratat lidheshin me filmat “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”. Producent i të parit ishte Nehat Fejza, ndërsa i të dytit Armond Morina.

Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës nga 2008-ta deri në 2010-ën, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570,000 eurove në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e 2014-ës.