Idriz Vehapi, kryetar i komunës së Rahovecit

Kalaveshët e Kalbur të Premtimeve Parazgjedhore në Rahovec

Kur përmendet Rahoveci, mendja menjëherë shkon te fushat e pafund të mbjella me perime dhe kodrat e mbjella me rrush.

Bujqësia përbën burimin kryesor të të ardhurave për banorët e kësaj komune, por komuna në buxhet të vetin në çdo vit ndan herë 500 mijë euro e herë më pak, sado që dy vjet më parë, Idriz Vehapi fitoi zgjedhjet me premtimin për dyfishim të buxhetit.

Kur kishte fituar zgjedhjet dy vjet më parë në këtë komunë, kryetarit Idriz Vehapi i ishin premtuar 60 milionë euro investime nga kryetari i partisë së tij, Hashim Thaçi, që atëherë drejtonte qeverinë e vendit.

Vehapi mundohet të gjejë arsye pse 60 milionët e premtuara nuk erdhën në Rahovec.

“Jo, nuk janë investuar 60 milion euro, pasi që kryetari i PDK-së nuk është më kryeministër”, tha ai duke iu referuar ndryshimeve në qeveri qëndodhën në vitin 2014 në të cilat Thaçi nga Kryeministri u ‘degradua’ në Zëvendës Kryeministër.

Vehapi ka dalë para Jeta Xharrës dhe asamblistëve komunalë për të dhënë llogari për punën gjatë dy viteve të para të mandatit në krye të komunës.

Fatmir Iska nga AAK-ja në opozitë, tha se përpos që nuk është dyfishuar buxheti në bujqësi ai është zvogëluar.

“Në vitin 2015 kishim një buxhet prej 590 000 euro, ndërsa në këtë vit do të thotë kemi një ulje të buxhetit në drejtorin e buxhetit prej 110.000 euro”, tha Iska

Idriz Vehapi e pranoi që komuna nuk ka mundur ta dyshojë buxhetin për bujqësi, por tha se kanë rritur subvencionet për vreshta.

“Kemi rritur subvencionet për bujqësi pasi që vreshtarët për një hektar kishin marrë 1000 euro, ndërsa tani marrin nga 2000 euro për hektar”, tha Vehapi.

Idriz Vehapi u pyet nga Jeta Xharra edhe për ndërtimin e shkollave në fshatin Opterushë dhe Kramovik, që kishte premtuar në zgjedhjet e vitit 2013. Shkolla në Opterushë ka filluar të ndërtohet, ndërsa kryetari Vehapi tha” se kjo shkollë do të hapet në shtator të vitit 2016”.

Ndërsa i pyetur për shkollën e Kramovikut, që ende nuk ka filluar, Vehapi tha se “se kjo shkollë do të fillojë të ndërtohet në vitin 2017”.

Përparim Krasniqi nga AAK-ja tha se shkolla në fshatin Opterushë nuk është në gjendje të mirë dhe duhet sa më shpejt të intervenohet në të.

“Shkolla mbahet me shtylla të hekurit, pllaka është hapur dhe është rrezik të shembet dhe kryetari është i njoftuar më gjendjen në këtë shkollë”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit kishte gjetur shumë shkelje në konkursin e arsimit në komunën e Rahovecit, për çka edhe ishte anuluar konkursi.

Kryetari Vehapi e pranoi se ka pasur shumë shkelje dhe për këtë arsye e kanë anuluar konkursin, por tha se në të kaluarën kanë pjesë edhe drejtorë tjerë në intervistim.

“Është e vërtetë që kanë marre pjesë në intervistë drejtorit për arsim, por kjo ka qenë një zbutje, pasi në të kaluarën kanë marrë pjesë edhe drejtorët tjerë”, tha ai.

Drejtori komunal i Arsimit Behar Rama kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë ndërsa para dorëheqjes kishte punësuar dy vajzat e vëllezërve të tij.

Në debat u ngrit edhe çështja e borxheve të trashëguara nga qeverisja e kaluar.

Idriz Vehapi akuzoi AAK-në se i kanë lënë shumë borxhe të cilat, sipas tij, kanë pamundësuar edhe nisjen e shkollës në fshatin Kramovik.

Vehapi tha se ka trashëguar mbi 2 milionë euro borxhe të komunës kur e kishte marrë pushtetin komunal në fund të vitit 2013 nga Smajl Latifi i AAK-së.

Afrim Limani nga AAK-ja tha se nuk është e vërtetë që ka trashëguar kaq shumë borxhe kjo qeverisje, pasi sipas tij shumica kane qenë obligime të kontraktuara.

“Borxhi si borxh nuk ka qenë më tepër se 750 mijë euro”, tha Limani.

Vehapi dy vjet më parë kishte premtuar edhe themelimin e një zyre për përkrahjen e bizneseve, por këtë zyre nuk e ka krijuar.

Tani ai arsyetohet se duhet të ndryshohet Statuti i komunës për themelimin e një zyre të tillë.

“Kjo nuk është realizuar se për këtë duhet të ndryshohet statuti i komunës dhe këtë do ta bëjmë këtë vit”, tha ai.

Florije Boshnjaku nga AAK tha se për nevojat e tyre e kanë ndryshuar dy herë statutin e komunës, ndërsa sipas saj zyra për bizneset mund të themelohet edhe me statutin aktual.

Kur ishte lidhur koalicioni lokal PDK- LDK, për t’i kënaqur kërkesat politike, komuna e Rahovecit kishte ndryshuar statutin e komunës duke e shtuar një drejtori në ekzekutivin e komunës- Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, e cila i takoi LDK-së.

Në debat u ngrit edhe çështja e shëndetësisë, pasi që sipas opozitës, disa ambulanta, siç është ajo në fshatin Polluzhë, nuk po hapen, ndërsa disa tjera punojnë më gjysmë orari. Kryetari Idriz Vehapi e pranoi se ka mungesë të mjekëve.

Florije Boshnajku nga AAK-ja akuzoi Vehapin se më qëllim nuk po e hap ambulantën në fshatin Polluzhë, pasi e njëjta është ndërtuar në kohën e qeverisjes së AAK-së

Por Idriz Vehapi akuzoi AAK-në se ambulanten në Polluzhë nuk e kanë ndërtuar sipas kontratës dhe sipas tij Komisioni nuk e kishte pranuar teknikisht. [interaction id=”56d801ac4ab46a0103684239″]