Presidenti Hashim Thaçi | Foto: Atdhe Mulla

Kafeja e Thaçit në Restorantin pa Arkë Fiskale

Ky restorant që u vizitua nga Presidenti i sapozgjedhur nuk është i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe në kohën kur Thaçi piu aty kafenë, nuk kishte as arkë fiskale.

“Restorant Arbëri” është pronë e vëllait të deputetit të Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së  Nuredin Lushtaku.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Nuredin Lushtaku ishin fotografuar në këtë restorant që nuk ka dokumente regjistrimi në institucionet shtetërore.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës i thanë KALLXO.com se nuk kanë gjetur të ketë biznes të regjistruar më ketë emër në Skenderaj.

Ndërsa, Administrata Tatimore e Kosovës nuk u përgjigj konkretisht në pyetjen se si ka mundësi që për dy vjet një restorant në qendër të Skenderajt të mos posedojë arkë fiskale.

Në përgjigjen dërguar në KALLXO.com ATK-ja në Prishtinë zgjodhi të lavdërohet për punën që po e bën në fiskalizimin e bizneseve, duke iu shmangur përgjigjes se pse Restorant “Arbëri” nuk kishte arkë fiskale.

KALLXO.com kërkuar sqarimenga Komuna e Skenderajt se a ka leje ndërtimi objekti ku ndodhet ky restorant.

Zëdhënësi i kësaj komune Hajriz Koci tha se objekti është në proces të legalizimit.

“Komuna e Skenderajt, organi përkatës, në vitin 2010 për objektin e përmendur ka lëshuarnjë leje urbanistike ne emër të Arif Lushtakut. Ne këtë kohë Komuna e Skenderajt nuk ka pasur plan urbanistik të ri të miratuar. Planin Urbanistik Komuna e Skenderajt e ka miratuar në vitin 2011. Pronari i objektit ka bërë kërkese për legalizim, proces që ka filluar nga Ministria e Ambientit në bashkëpunim me komunat, por që nuk ka përfunduar ende,” tha zëdhënësi Koci.

Pas disa raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com se restoranti “Arbëri” në Skenderaj nuk lëshon kuponë fiskalë, ekipi i platformës antikorrupsion vizitoi restorantin për të vërtetuar pretendimet e raportuesve.

Kur ky ekip kërkoi kupon fiskal para se të bëjë pagesën për shërbimet e ofruara aty, nuk e mori këtë kupon me arsyetimin e kamerierit se restorani nuk ka arkë fiskale.

KALLXO.com kontaktoi me Arif Lushtakun i cili është pronar i objektit ku ndodhet ky restorant dhe vetë restorantit.

Lushtaku tha së para pak ditësh është pajisur me arkë fiskale.

“Nuk kam pasë arkë fiskale, tash para disa ditëve e kam marrë. Nuk lidhet kurrgjë pse unë kam punuar pa arkë fiskale e që jam vëllai i deputetit. Nuredini i ka  punët  e tij dhe unë i kam të mijat,” tha Arif Lushtaku.

Ai nuk deshi të flasë në lidhje me atë se a është i regjistruar biznesi i tij në  Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

KALLXO.com i shkroi edhe Zyrës së Presidentit duke e pyetur nëse Hashim Thaçi mori kupon fiskal kur pagoi kafenë në këtë restorant, por kjo zyrë nuk ktheu përgjigje.

Prona ku është ndërtuar ky objekt, nga viti 2010 është pronë private, pasi që ishte privatizuar në procesin e udhëhequr nga AKP-ja.