Kadri Veseli në Kuvend | Foto: KALLXO.com/Arkiv

Kadri Veseli Zgjedhet Kryetar i Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan sot Kadri Veselin në postin e kryetarit të Kuvendit duke i dhënë fund bllokadës 35 ditëshe të institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në votimin e mbajtur të enjten pasdite, Veseli mori 62 vota në favor ndërsa 52 deputetë votuan kundër.

Në një votim të veçantë, deputetët zgjodhën edhe tre nënkryetarët e Kuvendit Xhavit Haliti (PDK), Aida Dërguti (Vetëvendosje) dhe Kujtim Shala (LDK).

Ndërkohë dy nënkryetarët e propozuar të Kuvendit nga komunitetet pakicë Slavko Simiq (Lista Serbe) dhe Myfera Shinik (6+) nuk morën votat e mjaftueshme për shkak se morën 59 vota ‘për’ dhe 48 abstenime.

Veseli ka qenë kryetar i Kuvendit edhe në legjislaturën e kaluar.

Në këtë situatë, kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, kërkoi 15 minuta pauzë për qartësim.

Në sallë ishin të pranishëm 114 deputetë.

Veseli u propozua nga deputeti i partisë së tij, Enver Hoxhaj.

Caktimi i seancës për orën 11 u bë pas një marrëveshjeje të arritur mbrëmë mes partnerëve shqiptarë të koalicionit qeveritar PAN-AKR me përfaqësues të Listës Serbe.

Megjithatë mungesa e deputetëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA e shtyri kryesuesin e seancës, Adem Mikullovci ta ndërpresë seancën për ta vazhduar atë në orën 14.

Raportimet e mediave flasin se marrëveshja është arritur pasi AKR hoqi dorë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila dy ditë më parë i ishte ndarë kësaj partie.

Me marrëveshjen e re, kjo ministri kalon nën kontroll të Listës Serbe e cila kishte kushtëzuar çdo marrëveshje me drejtimin e këtij resori.

Me Listën Serbe brenda, koalicioni i ri qeveritar pritet t’i ketë 63 vota pasi që deputeti i AKR-së, Korab Sejdiu nuk iu bind vendimit të partisë për të bërë koalicion me PAN-in duke dhënë dorëheqje nga postet partiake. Sejdiu mbrëmë tha se do të funksionojë si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.