Kadri Veseli U.D. Kryetar i PDK-së

Zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është emëruar ushtrues detyre i kryetarit të kësaj partie në mbledhjen e Këshillit Drejtues. Ai do ta drejtojë partinë më të madhe parlamentare deri në konventën e PDK-së, e cila u propozua të mbahet më 7 maj të këtij viti.

Emërimi i Kadri Veselit në krye të partisë vjen pasi kryetari i deritanishëm, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga çdo post partiak e qeveritar pas zgjedhjes në postin e presidentit të Republikës më 26 shkurt.

Kadri Veseli u emërua ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së me ngritje dore.

Në një fjalë rasti, Kadri Veseli tha se PDK në krye me kryetarin e saj të deritanishëm, Hashim Thaçi, ka pasur sukseset historike në vendin tonë. “Sot kur unë po e marr drejtimin e partisë, e them se është partia më e madhe në vend dhe do të mbetet edhe për shumë gjatë”, shtoi ai.

Më tej, Veseli i ka uruar suksese në punë presidentit të ri të zgjedhur të Kosovës dhe premtoi se kryetari i ri i partisë do të zgjidhet në një proces transparent dhe demokratik.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues një fjalë rasti ka mbajtur edhe Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së. Ai potencoi faktin se kjo ishte mbledhja e parë pas 17 vitesh që mbahet pa Hashim Thaçin.

“Zgjedhja e tij president dhe dorëzimi i vullnetshëm i mandatit paraqet momentum të ri politik, kthesë për vendin e PDK-në. Ky është standard i ri që e vendos PDK…  Ai lë pas të kaluar të bujshme”, tha ndër të tjera Hoxhaj.

Kurse, Hajredin Kuçi përmendi faktin se disa herë ka dalë për ta nominuar Hashim Thaçin, herë për kryetar partie e herë për kryeministër. E sot, tha ai, do të flas për dorëheqjen e tij.

“Ai nuk po shkon nga PDK kokulur, por po largohet krenar me të kaluarën e tij. Ka qenë kryeprotagonisti i pavarësisë së Kosovës. Secili nga ne në këtë sallë do të donte ta kishte një të kaluar të tillë politike”, theksoi Kuçi.

Më pas, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati propozoi mbajtjen më 7 maj të konventës, ku do të zgjidhet lideri i ri. Sipas tij, mbi 700 delegatë do të mblidhen në këtë konventë. Propozimi u miratua me ngritje dore.

Në fund, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar një deklaratë prej 13 pikash, në të cilën ndër të tjera mbështetet fuqishëm zgjedhja e zëvendëskryetarit Kadri Veseli në krye të PDK-së.

Po ashtu, kjo parti deklarohet e vendosur për ruajtjen e koalicionit aktual qeverisës me LDK-në dhe shpreh gatishmërinë për ndërtimin e partneritetit dhe bashkëpunimit afatgjatë me qëllim të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit.

Në njërën prej pikave, PDK u bën thirrje të gjitha partive opozitare që të shmangin dhunën ndaj institucioneve demokratike me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave fundamentale të shtetit demokratik.

PDK shpreh besimin se dialogu është zgjidhja e vetme dhe e duhur për të tejkaluar situatën politike dhe fton të gjitha partitë opozitare për bashkëpunim me qëllim të zhvillimit dhe forcimit të shtetit.