Kadri Veseli Takohet me të Akuzuarin për Ndikim në Dëshmitarë

Skënder Tahiraj i cili është pjesë e aktakuzës prej 24 personash ka postuar në faqen e tij në Facebook fotografi me të parin e kuvendit, i cili në të njëjtën kohë është edhe kryetar i PDK-së.

“Pata nderin ta mbyllë vitin me një takim me Z.Kadri Veselin”, ka shkruar Tahiraj.

Ambienti në fotografi tregon se takimi Veseli- Tahiraj është mbajtur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyra e Veselit për këtë takim por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale pretendon se tentativa për të blerë dëshmitarë pati edhe në rastet e tjera. Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiraj, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani akuzohen se në periudhën qershor 2013- shtator 2015 kanë ndërtuar një plan për ta detyruar Dëshmitarin F që ta japë një deklaratë të rrejshme në këmbim të një shume parash prej 109 mijë euro.

Dëshmitari F ka dëshmuar në seancën e 10 korrikut 2014-të në grupin Drenica. Rrustem Rukolli, Rexhe Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiraj, Sheremet Jashari e Bajram Dibrani akuzohen se prej qershorit 2013 deri sot, duke vepruar nën një plan të përbashkët, nën direktivat dhe udhëzimet e Sami Lushtakut e Ismet Haxhës, akuzuarit vendosën ta formojnë një grup prej së paku tetë personave aktiviteti kryesor i të cilit ishte që t’i pengojnë dëshmitarët e prokurorisë në rastin P. 938/13” thuhet në aktakuzë.

Këta dëshmitarë sipas aktakuzës dhanë deklarata fajësuese ndaj Lushtakut e Haxhës gjatë fazës hetuese në mënyrë që t’i bëjnë ata t’i ndërrojnë deklaratat gjatë procesit gjyqësor në përpjekje për ta fituar pafajësinë për Lushtakun e Haxhën dhe lirimin e tyre nga paraburgimi.

KALLXO.com në një seri shkrimesh raportoi për aktakuzën ndaj 24 personave në mesin e të cilëve disa zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe pjesëtarë të grupit Drenica.