Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit - 23.11.2018

Kadri Veseli: Nuk kemi pretendime për shkëmbim të territoreve

Pas takimit të zhvilluar nga krerët e shtetit, presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj së bashku me ekipin negociator, kryeparlamentari Veseli ka premtuar transparencë karshi qytetarëve për procesin e dialogut.

“Ishte një takim i përbashkët i krerëve së bashku me ekipin negociator, ishte takim i korrektësisë. Dëshiroj t’i siguroj qytetarët se Kosova do të këtë transparencë. Kosova ka ekipin i cili do t’i dalë zot interesave të shtetit. Dialogu është për njohje reciproke nga Serbia, ulësja në OKB si dhe perspektiva e integrimeve atlantike. Jemi në rrugë të mirë të gjithë do të jemi bashkë si Kosovë në  këtë proces. Është proces i lirisë, sovranitetit, territoreve të shtetit të pavarur  si dhe njohjes reciproke”, tha Veseli.

Tutje Veseli tha që asnjëherë nuk do të heqin dorë nga qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë shqiptarë dhe ne nuk heqim dorë nga ata. Por nuk kemi pretendime as për shkëmbime territoresh, as për korrigjim por për shqiptarët tonë kemi pretendime”, tha ai.