Kadri Veseli në Gorazhdevc Kërkon Besim në Institucione

Kadri Veseli vizitoi sot fshatin Gorazhdevc të Pejës ku më 7 dhjetor ndodhi një sulm nga i cili u dëmtua përmendorja dhe disa shtëpi.

Ai u tha përfaqësuesve të banorëve të këtij fshati në gjuhën serbe se institucionet nuk do t’i harrojnë të shtënat që ndodhën këtu dhe ata që i kryen ato.

“Kjo që ndodhi në Gorazhdevc ku ishin të sulmuar edhe familje nuk do të harrohet as për një ditë, as për tri ditë, as për gjashtë ditë, pasi është obligim i institucioneve tona të dihet kush janë këta kriminelë, a kanë prapavijë etnike, apo është një lojë në të cilën dikush tenton të tregojë se nuk ishte konflikti ndëretnik vetëm nga 2008-ta deri në 2015-ën, por ai edhe tash vazhdon ajo urrejtje,” tha Veseli.

Veseli tha se ata që kryen sulmin i pengon bashkëjetesa në këtë fshat.

“Këto janë gjëra që disa njerëz të cilët mund t’i quajmë kriminelë nuk janë të kënaqur për progresin që kemi që jetojmë së bashku, nuk janë të kënaqur që ne kemi paqe që është më e rëndësishmja, nuk janë të kënaqur që kemi raporte të mira mes vete dhe për këtë dikush provon që këtë ta shkatërrojë,” tha Veseli.

Kryeparlamentari vizitoi edhe shtëpinë e Sasha Petroviqit e cila u qëllua nga disa plumba që u shkrepën më 7 dhjetor gati tri orë pas mesnatës.

Petroviq tregoi se shtëpinë e tij mund ta kenë qëlluar vetëm ekstremistët.

“Mendoj që ky është një akt i një grupi të ekstremistëve. Me fqinjët shqiptarë kemi raporte të mira këtu,” tha Petroviq.

Në takim me Veselin ishte edhe asamblisti i Pejës Millosh Dimitrijeviq. Ai tha se sulmet e tilla nuk sjellin gjëra të mira.

“Kjo situatë shqetësoi jo vetëm bashkësinë serbe, por edhe gjithë botën dhe edhe popullatën shqiptare ata njerëz, fqinj të vërtetë me të cilët kemi raporte shumë të mira. Edhe ata janë të irrituar me këto ngjarje dhe këtë rast, pasi ai nuk i bën askujt mirë, vetëm sjell një ngjarje që ishte dikur,” tha Dimitrijeviq.

Asamblisti foli për KALLXO.com edhe ditën kur ndodhi ky sulm në Gorazhdevc.

Ne këtë fshat të Pejës Veselin e shoqëroi edhe nënkryetari i Kuvendit Sllobodan Petroviq.

“Insistojmë që shkaktarët e sulmit të gjenden dhe i japim përkrahje të plotë kësaj pjese, nuk do të ndalemi siç tha edhe kryetari derisa t’i gjejmë ata,” tha Petroviq.

Ndërsa Veseli bëri thirrje për punë të përbashkët që e tashmja dhe e ardhmja të jenë më të mira.

“Ne duhet të kemi besim më të madh në institucionet tona dhe mes vete. Të punojmë të gjithë së bashku që e tashmja dhe e ardhmja jonë të jetë më e mirë,” tha Veseli.